Ministria e Mbrojtjes e Malit të Zi ka konfirmuar për shtypin vendor se ka ndëshkuar ushtarin malazez të arrestuar për mbishkrimin “Kosova është Serbi” në nëntor të vitit të kaluar, Ratko Krivokapiç, ndërsa procedurat disiplinore ndaj ushtarit malazez, Dragutin Llallatoviç, janë ndërprerë për shkak se ai ka braktisur ushtrinë e Malit të Zi.
Komanda e Përgjithshme e Ushtrisë së Malit të Zi ka vendosur për dënimin e Krivokapiçit, por nuk ka dhënë detaje shtesë se çfarë dënimi i është shqiptuar, ka raportuar e përditshmja malazeze “Vijesti” të martën në mengjes. E një burim anonim brenda ushtrisë ka sugjeruar se Krivokapiçi mund të ketë kaluar vetëm me një gjobë.
Policia e Kosovës arrestoi tre individë nga qyteti i Nikshiqit në nëntor 2024, të cilët ishin nisur drejt Manastirit të Deçanit me një automjet me targa me mbishkrimin “Kosova është Serbi” që në Kosovë përbën nxitje të urrejtjes dhe mosdurimit.
Ndryshe, dy ushtarët malazezë nuk e kishin njoftuar komandën e tyre për udhëtimin në Kosovë, duke shkelur detyrimin ligjor për të informuar eprorët për çdo udhëtim jashtë vendit. Njëri prej ushtarëve ishte në pushim mjekësor që nga tetori i vitit të kaluar, ndërsa tjetri kishte filluar pushimin mjekësor vetëm pak para incidentit në Kosovë.










