Trendy

Skandal në Ohër: Vdekja misterioze e Fadil Braos rikthehet në vëmendje – dyshime për lidhje me vrasjen e fundit!

Para 2 orë

Gazetari Zoran Bozhinovski ngre pikëpyetje të forta për një rast të pazbardhur dhe përfshirjen e mundshme të personave të dyshuar në krime të tjera.

OHËR – Një rast i vjetër dhe i pazbardhur ka rikthyer sërish vëmendjen e opinionit publik në Maqedoninë e Veriut. Bëhet fjalë për vdekjen misterioze të ohridasit Fadil Brao, për të cilën gazetari Zoran Bozhinovski kërkon përgjigje të qarta nga organet e hetuesisë.

Reagimi i tij vjen pas vrasjes brutale të Klime Mitreskit, për të cilën si i dyshuar kryesor është arrestuar Zharko Grozdanovski, pjesëtar i një grupi të quajtur “Vëllazëria e Krishterë”. Sipas Bozhinovskit, ky rast duhet të zgjerohet edhe në drejtim të hetimit të zhdukjes dhe vdekjes së dyshimtë të Fadil Braos. Brao ishte shpallur i zhdukur më 18 janar 2023, pasi një ditë më parë ishte larguar nga shtëpia me veturën e tij. Vetëm tre ditë më vonë, ai u gjet i vdekur në zonën e fshatit Rasino.

Ajo që e bën rastin edhe më të rëndë është fakti se, sipas pretendimeve, në sfond të zhdukjes së tij qëndronin interesa të mëdha financiare. Brao ishte në proces të nënshkrimit të një autorizimi për shitjen e dy parcelave të mëdha në bashkëpunim me dy kompani ndërtimore nga Ohri – EURO BUILDING 2012 dhe OKEANIA.

Megjithatë, më vonë doli se autorizimi ishte i falsifikuar, ndërsa Brao ndërkohë ishte zhdukur dhe më pas u gjet i vdekur. Familja e tij, përmes trashëgimtarit Berat Mena, ngriti padi për të ndalur përvetësimin e tokës. Edhe pse Gjykata Themelore e Ohrit dhe Gjykata e Apelit në Manastir vendosën masa të përkohshme në favor të familjes, kompanitë ndërtimore vazhduan ndërtimet dhe shitjen e banesave, duke shpërfillur vendimet gjyqësore. Gjykata e Apelit ka konstatuar se kontrata për shitje është bazuar në një autorizim të falsifikuar, pasi nuk ka ekzistuar leje e qartë për shitjen e parcelave apo transferimin e tyre te palë të treta.

Pavarësisht kësaj, ndërtimet kanë vazhduar, ndërsa kompanitë kanë pretenduar se familjes së Braos i janë dhënë kompensime në formë banesash, parash dhe një automjeti. Por ajo që ngre shqetësimin më të madh është fakti se trupi i Fadil Braos është varrosur pa u kryer autopsi, duke lënë të paqartë nëse bëhet fjalë për vdekje natyrale apo për vrasje.

Gazetari Zoran Bozhinovski kërkon që hetimet të rihapen dhe të shqyrtohet nëse i dyshuari për vrasjen e fundit, Zharko Grozdanovski, ka njohuri edhe për këtë rast misterioz. Rasti mbetet i hapur dhe me shumë pikëpyetje, ndërsa dyshimet për lidhje me interesa të mëdha financiare dhe krim të organizuar vazhdojnë të thellohen.

Trending