Trendy

Skandali nuk është lapsus, skandali është mendësia që fshihet pas tij

Para 4 javë

Kur shefja e diplomacisë shqiptare, në një vizitë zyrtare në Shkup, i barazon shqiptarët autoktonë të Maqedonisë së Veriut me një pakicë numerikisht simbolike në Shqipëri, kjo nuk është thjesht gafë gjuhësore. Kjo është një ulje e vetëdijshme e peshës historike, politike dhe kombëtare të shqiptarëve këtej kufirit.

Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk janë minoritet folklorik për fjali protokolli. Nuk janë numër i rrumbullakosur për raporte diplomatike. Janë faktor shtetformues, realitet kushtetues dhe trup i gjallë i një kombi që nuk ka kërkuar kurrë trajtim bamirës, por njohje dinjitoze.

T’i fusësh në të njëjtën kategori kushtetuese me një komunitet të vogël etnik në Shqipëri është ose padije e rëndë, ose përbuzje e rafinuar. Të dyja janë të papranueshme për një diplomaci që pretendon seriozitet dhe përgjegjësi historike.

Deklaratat e Spiropalit kërkojnë shpjegime publike, sepse fjala e diplomatit nuk është private. Ajo peshon. Ajo lë gjurmë. Ajo ose ndërton dinjitet, ose e sheshtëzon kombin në statistika të turpshme.

Politika e barazimit mekanik është politikë e fshirjes. Dhe fshirja e shqiptarëve këtej kufirit nga gjuha zyrtare është dhunë simbolike, po aq e rrezikshme sa heshtja.
Shqiptarët e këtij vendi nuk janë pakicë e papërfillshme, nuk janë numër krahasimor dhe as objekt eksperimentesh diplomatike. Janë komb i ndarë me forcë historike, jo me vullnet, dhe këtë të vërtetë nuk e zhbën asnjë fjali e papërgjegjshme.

Turp për një diplomaci që harron peshën e fjalës. Turp për një qasje që e sheh kombin si problem terminologjik dhe jo si realitet historik.

Trending