Zgjedhjet lokale po afrohen dhe temperatura politike nëpër komuna po rritet dita-ditës. Një nga komunat më të rëndësishme në këtë garë është Komuna e Tetovës, ku tashmë janë bërë publike emrat e kandidatëve që do të përballen për postin e kryetarit të komunës. Në këtë kontekst, platforma online “Tetova1” ka realizuar një sondazh 24-orësh për të matur preferencat e qytetarëve mes dy kandidatëve kryesorë: kryetarit aktual të Komunës, Bilall Kasami nga koalicioni VLEN, dhe sfiduesit të tij Bajram Rexhepi nga rradhët e BDI-së.
Rezultatet e këtij sondazhi tregojnë për një epërsi të ndjeshme të Kasamit, i cili ka siguruar 58% të votave, përkundrejt 42% të mbështetjes për Bajram Rexhepin. Ky rezultat është një sinjal i fortë se Kasami gëzon një mbështetje të konsiderueshme për një mandat të dytë në krye të Komunës së Tetovës.
Bilall Kasami, në cilësinë e kryetarit aktual, ka ndërtuar profilin e tij mbi transparencën institucionale, menaxhimin efikas të financave publike, përmirësimin e infrastrukturës dhe hapjen e komunës ndaj qytetarëve. Platforma e tij politike ka gjetur jehonë veçanërisht tek të rinjtë dhe profesionistët, të cilët kërkojnë një model më bashkëkohor të qeverisjes vendore.
Nga ana tjetër, kandidati i cili vjen nga rradhët e BDI-së, dhe njëherit është edhe kuadër i saj, Bajram Rexhepi, përfaqëson një rrymë alternative që synon të kapitalizojë mbi pakënaqësitë e akumuluara në qytet dhe të ofrojë një qasje ndryshe ndaj sfidave të Tetovës. Megjithatë, për të arritur një përmbysje në rezultat, ai do të duhet të zgjerojë bazën e mbështetjes dhe të artikulojë qartë projektet e tij politike.
Sondazhe të tilla, edhe pse nuk janë përfundimtare dhe nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht rezultatin zyrtar të zgjedhjeve, ofrojnë një pasqyrë të dobishme për frymën politike që mbretëron në prag të zgjedhjeve. Në këtë rast, qytetarët duket se po e shpërblejnë vazhdimësinë dhe punën konkrete, të mishëruar në figurën e Bilall Kasamit.
Nëse ky trend vazhdon, Komuna e Tetovës pritet të mbetet nën drejtimin e koalicionit VLEN edhe pas zgjedhjeve lokale. Por gara mbetet e hapur dhe fushata vetëm sa ka nisur.











