Trendy

Sondazhi i Tetova1:Garë e ngushtë në Çair, Mexhiti në epërsi ndaj Osmanit

Para 8 muaj

Zgjedhjet lokale po afrohen dhe intensiteti politik në Komunën e Çairit po rritet dita-ditës. Si një nga bastionet më të rëndësishme të votës shqiptare në Shkup, Çairi pritet të jetë arenë e një përballjeje të ashpër midis dy figurave të njohura politike: Izet Mexhiti nga koalicioni opozitar VLEN dhe Bujar Osmani nga radhët e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI).

Pikërisht në këtë frymë, një sondazh online 24-orësh i realizuar përmes platformës “Tetova1”, ekskluzivisht për komunën e Çairit, ka matur preferencat e qytetarëve përballë dy kandidatëve më të përfolur për kryetar komune. Rezultatet tregojnë një garë të ngushtë, me një epërsi të lehtë për Izet Mexhitin, i cili ka siguruar 52% të mbështetjes, krahasuar me 48% për Bujar Osmanin.

Izet Mexhiti, një figurë me përvojë të gjatë në qeverisjen lokale dhe ish-kryetar i Çairit, është rikthyer fuqishëm në skenën lokale si përfaqësues i koalicionit VLEN, që aktualisht udhëheq pushtetin në këtë komunë. Ai shihet si një profil politik me njohje të thellë të realitetit urban të Çairit dhe me kapital të akumuluar përmes viteve në kontakt të drejtpërdrejtë me qytetarët. Figura e tij mbetet e lidhur ngushtë me ndjeshmëritë lokale dhe rrënjët historike të kësaj komune, duke i dhënë një avantazh emocional përballë kundërshtarit të tij.

Nga ana tjetër, Bujar Osmani, një emër i njohur në politikën qendrore dhe ndërkombëtare si ministër i jashtëm, përfaqëson ofertën e BDI-së për një menaxhim më institucional dhe të strukturuar të komunës. Kandidatura e tij shihet si përpjekje për të zhvendosur imazhin e tij nga diplomacia drejt nevojave konkrete urbane, por sfida kryesore mbetet bindja e elektoratit se një figurë e nivelit qendror mund të përkushtohet realisht ndaj problematikave të përditshme të një komune.

Sondazhe të tilla, ndonëse nuk janë të detyrueshme për rezultatin final të zgjedhjeve, japin një tregues të vlefshëm për frymën politike që po përvijon në prag të zgjedhjeve lokale. Në këtë rast, epërsia e ngushtë e Mexhitit dëshmon për një betejë të baraspeshuar, ku secili votë mund të bëjë diferencën.

Nëse ky trend vazhdon, gara për Çairin pritet të jetë ndër më vendimtaret në hartën politike të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut. Sidoqoftë, fushata sapo ka nisur, dhe gjithçka mbetet ende e hapur.

Trending