Trendy

Sot fillon gjykimi për Artan Grubin

Para 51 minuta

Sot pritet të fillojë gjykimi kundër ish-zëvendëskryeministrit të parë Artan Grubi dhe shtatë personave të tjerë për keqpërdorime në SHA “Lotaria Shtetërore”.

Prokuroria Themelore Publike e Shkupit, më 13 gusht të këtij viti, ka ngritur aktakuzë kundër Artan Grubit dhe shtatë personave të tjerë, të cilët gjatë viteve 2023 dhe 2024, në bashkëpunim, kanë ndërmarrë veprime përmes të cilave kanë tejkaluar kufijtë e autorizimeve dhe detyrave të tyre të veçanta, duke i shkaktuar dëm Shoqërisë Aksionare për Organizimin e Lojërave të Fatit “Lotaria Shtetërore”, në vlerë prej 507.632.173 denarësh (më shumë se 8,2 milionë euro).

Të gjithë akuzohen për keqpërdorim të pozitës dhe autorizimeve zyrtare, vepër për të cilën parashihet dënim me burgim deri në pesë vjet. Lëndën do ta gjykojë gjykatësja Biljana Shuplinovska-Jovevski.

I akuzuari i parë – ish-drejtori i “Lotarisë Shtetërore”, Perparim Bajrami, ende ndodhet në arrati. Për të, Prokuroria ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për një periudhë prej 30 ditësh, deri në gjetjen dhe arrestimin e tij. Ndërsa për të akuzuarin e dytë – Artan Grubi, është propozuar vazhdimi i masës së mëparshme të arrestit shtëpiak, e cila i është caktuar së bashku me masën e kujdesit – marrjen e përkohshme të dokumentit të udhëtimit dhe ndalimin e lëshimit të pasaportës apo dokumenteve të tjera për kalimin e kufirit shtetëror.

Grubi, pas më shumë se 14 muajsh në arrati, në shkurt të këtij viti u arrestua në pikën kufitare Bllacë. Pas marrjes në pyetje në Prokurori, Grubi, në vend të paraburgimit që i ishte caktuar më herët në mungesë, për arsye sigurie u vendos në arrest shtëpiak.

Trending