Me iniciativë të kryeministrit dhe kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, sot në Klubin e Deputetëve pritet të mbahet takim i liderëve të partive parlamentare që kanë grupe deputetësh në Kuvend. Siç është paralajmëruar, në fokus të takimit do të jenë ligjet reformuese në gjyqësor, zgjedhja e Avokatit të Popullit, ndryshimet në Kodin Zgjedhor si dhe çështja e heqjes së qeverisë teknike. Në rend dite pritet të përfshihen edhe tema të tjera, sipas propozimeve të pjesëmarrësve.
Nga opozita, pjesëmarrjen e kanë konfirmuar kryetarët e partive “E Majta” dhe BDI, Dimitar Apasiev dhe Ali Ahmeti. Ndërkohë, kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, ka refuzuar ftesën për takim të liderëve.
Filipçe, në një konferencë për shtyp më 8 janar, deklaroi se nuk pranon bisedime për shfuqizimin e qeverisë teknike, duke akuzuar kryeministrin Mickoski se po kërkon “alibi për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme”.
Sipas tij, qeveria teknike duhet të mbetet si garanci për zgjedhje të drejta dhe si mekanizëm për parandalimin e keqpërdorimit të institucioneve. Sa i përket ligjeve reformuese, Filipçe theksoi se debati duhet të zhvillohet në Kuvend, duke shtuar se LSDM do të mbështesë çdo zgjidhje cilësore. Ai gjithashtu nënvizoi se partia do të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare nëse ato shpallen.
Në takimin e liderëve, të thirrur nga Mickoski, pjesëmarrjen e kanë konfirmuar edhe kryetari i BDI-së Ali Ahmeti, Bilall Kasami nga VLEN dhe Maksim Dimitrievski nga ZNAM.










