Ministri i Jashtëm spanjoll José Manuel Álvarez mohon “kategorikisht” pretendimin e zëdhënëses së Shtëpisë së Bardhë Caroline Levitt se Spanja do të “bashkëpunojë ushtarakisht” me SHBA-në.
“Qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar”, tha Albarez në një intervistë me stacionin radiofonik Cadena SER. ” Qëndrimi ynë ‘jo luftës’ mbetet i qartë dhe kategorik”, shtoi ministri i jashtëm spanjoll.
Më herët sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Caroline Levitt tha se Spanja ka rënë dakord të bashkëpunojë me ushtrinë amerikane.
“Mendoj se ata e dëgjuan mesazhin e presidentit dje me zë të lartë dhe të qartë. Kuptoj që në orët e fundit ata kanë rënë dakord të bashkëpunojnë me ushtrinë amerikane”, u tha ajo gazetarëve.
Deklarata erdhi një ditë pasi Trump kërcënoi të ndërpresë tregtinë me Madridin për shkak të qëndrimit të Spanjës ndaj sulmeve amerikane-izraelite kundër Iranit.
Trump e kishte lënë të hapur mundësinë e vendosjes së një embargoje tregtare ndaj Spanjës, sepse Madridi refuzoi të lejonte përdorimin e bazave të përbashkëta detare dhe ajrore në Spanjën jugore nga avionët amerikanë për operacione kundër Teheranit.
Spanja ka dënuar bombardimet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit si “të pamatura” dhe “të paligjshme”.
Zëvendëskryeministrja Maria Jesus Montero tha se Spanja “nuk do të bëhet vasale” e një vendi tjetër. Në një fjalim televiziv më parë, kryeministri Pedro Sanchez përsëriti qëndrimin anti-luftë të qeverisë së tij, duke paralajmëruar se konflikti mund të shkaktojë një katastrofë të madhe globale.










