Reformat e sistemit të specializimit dhe sub-specializimit të fakulteteve të mjekësisë në Shkup, Tetovë dhe Shtip do të fillojnë nga viti i ri akademik, njoftojnë nga Ministria e Shëndetësisë. Nga atje thonë se fokusi kryesor i kësaj reforme është në mjekësinë interne dhe kirurgjinë e përgjithshme. Ministri Azir Aliu tha se analizat kanë treguar se vendi ka specialistë të profilizuar ngushtë me zbatueshmëri të kufizuar në vend.
“Nga ky vit fillojmë, derisa të gjithë studentët që janë në specializim deri në vitin e tretë mund të barten në programin e ri, në kurrikulën e re, derisa ata që janë mbi vitin e tretë të specializimit do të duhet ta kryejnë me programin e vjetër. Për kuadrot deficitare kemi ide të krijojmë ekipe që të mund të funksionojnë kardiologët dhe internistët, normalisht do të fillojmë me mobilitet deri në fazën që ne krijojmë kuadro të reja që do të punojnë me orar të plotë”, tha Azir Aliu, ministër i Shëndetësisë.
Sipas ministrit do të prezantohet një trajnim intensiv praktik, veçanërisht në mjekësinë e urgjencës dhe kujdesin intensiv me ultratinguj “nga pikëpamja e kujdesit” si një aftësi standarde për çdo internist.
Nga Fakultetet e mjekësisë thonë se qëllimi i procesit arsimor është të krijojë një internist që mund të menaxhojë në mënyrë të pavarur punën.
“Zgjidhja e mos pasjes së kuadrove është realisht punësimi i të rinjve. Nuk e kam të qartë si është e mundur të mungojnë specialistë anesteziologë në cilindo spital, ndërsa drejtori t’i udhëzoj në Kirurgji ose t’i udhëzoj në Kardiologji. Kur dikush punësohet në institucion publik shëndetësor qëndron në dispozicion të vetëm atij spitali”, pohoi Svetozar Antoviq, dekan i Fakultetit të Mjekësisë – Shkup .
Nga Oda e mjekëve e mirëpresin shkurtimin e intervalit kohorë të specializimeve duke u bazuar edhe në praktikat ndërkombëtare në mënyrë që të mbushen beshllëqet në mjekësinë terciare duke krijuar kuadro të specializuara në kohë më të shpejtë.
“Doktor në Maqedoni do të mbani nëse e punësoni dhe i jepni mundësi të arsimohet ashtu siç duhet, për të qenë më e thjeshtë dhe më e dobishme për të gjithë kemi vënë kontakt me të gjitha Odat e vendeve Evropiane: në Gjermani, Austri dhe Slloveni Odat janë ato që i organizojnë specializimet”, tha Kalina Grivçeva-Stardellova, kryetare e Odës së Mjekëve.
Nga ministria e shëndetësisë thonë se sipas një studimi të epidemiologëve rreth 70% e pacientëve janë në qendra klinike. Kjo sipas tyre ka shkaktuar ngarkesë të madhe në Qendrën Klinike Universitare “Nënë Tereza” ku nga të gjitha qytetet tjera udhëzohen për ekzaminime më të hollësishme në mungesë të specialistëve.










