Trendy

Spiropali shpërthen pas ngjarjes në Kumanovë: Nuk ka vend për racizëm në sport!

Para 8 muaj

Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka reaguar ashpër ndaj ngjarjes së djeshme në Kumanovë, ku një ndeshje basketbolli u njollos nga thirrje ekstremisht fyese dhe diskriminuese ndaj shqiptarëve. Në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale, Spiropali e cilësoi incidentin si të papranueshëm dhe kërkoi reagim të vendosur institucional dhe publik.

“Gjuha e urrejtjes që nxit dhunën, konfliktin etnik dhe racizmin, nuk ka vend në asnjë hapësirë publike, e aq më pak në sport, që në thelb të tij mbart frymën e bashkimit, të bashkëpunimit, të lojës së ndershme dhe të respektit ndaj tjetrit”, – theksoi ajo.

Spiropali përshëndeti reagimet e para të institucioneve të Maqedonisë së Veriut, por kërkoi një angazhim më të fortë publik nga zyrtarët më të lartë shtetërorë, për të dënuar qartë dhe pa ekuivoke çdo formë të diskriminimit dhe nxitjes etnike.

Ajo nënvizoi rëndësinë e bashkëjetesës ndëretnike si një vlerë e përbashkët në rrugën europiane, që duhet ruajtur dhe forcuar me përgjegjësi nga të gjithë aktorët në rajon.

“Shqipëria dhe shqiptarët mbeten të palëkundur në promovimin e një bashkëjetese model dhe larg ndasive të dala mode e boje”, përfundoi Spiropali, duke lënë të kuptohet se heshtja përballë gjuhës së urrejtjes nuk është një opsion për Tiranën zyrtare.

Trending