Pesë nëpunësit shqiptarë në Ministrinë për Marrëdhënie Ndëretnike, të suspenduar më 25 dhjetor 2025 dhe të kthyer në punë më 30 janar 2026, janë larguar përfundimisht nga vendet e tyre të punës, shkruan gazeta KOHA. Vendimi i ri për suspendim pesë nëpunësve ju është dorëzuar sot nga Komisioni disiplinor i formuar nga ministri Ivan Stoilkoviq, ndërsa në të kanë marrë pjesë shtatë anëtarë: Gordana Bozhinovska-Stamatovska, Blerand Rexhepi, Gordana Dukadinoska, Kushtrim Alla, Marko Jovanoviq, Armend Qoku dhe Daniella Denkovska.
Ndryshe nga Komisioni i shkallës së dytë i Agjencisë për Administratë që kishte konstatuar se largimi nga puna i pesë administratorëve shqiptarë ishte i padrejtë dhe kishte urdhëruar rikthimin në vendet e punës, Komisioni disiplinor i Stoilkoviqit ka gjetur gabime në punën e të larguarve. Konkretisht, ka vërtetuar faktet e suspendimit të parë dhe të dytë, të muajit dhjetor dhe të shkurtit, ndërsa ka miratuar vendimin e parë: suspendim të menjëhershëm nga puna.
“Komisioni konstaton se pesë administratorët shqiptarë kanë bërë dëm në punë, konkretisht kanë sjellë dyshek ose kanë improvizuar dyshek, gjë që nuk është e vërtetë. Kjo nuk është dëshmu në asnjë rast, edhe pse nga 20 e më shumë punonjës shqiptarë na ka grumbulluar në një zyre 16 metra katrorë”, thonë për KOHA punonjësit shqiptarë në ministrin që udhëhiqet nga Stoilkoviqi.
Ministri nuk e fsheh që detyrë e ka pastrimin nga shqiptarët të Ministrisë për Marrëdhënie Ndëretnike, ankohen punonjësit. “Mbi 20 administratorë tashmë e kanë braktisur vullnetarisht punën, pasi nuk i sistemon në vende pune të afërta me vendlindjen, por i detyronte të vijnë në Shkup nga Manastiri, Kërçova, Struga e Dibra. Me rrogën që marrim, duhet harxhuar vetëm për rrugë, kështu që vet këta punonjës braktisën ministrinë. Nga 20 e më tepër jemi në zyre të vogla, ndërsa të njëjtën sjellje të egër ndaj nesh e ka edhe Sekretari shtetëror, i nacionalitetit serb dhe që implementon politikat e Stoilkoviqit”.










