Njëzet ditë pas vendimit të Komisionit për shqyrtimin e Ankesave në Procedurë Administrative dhe në Marrëdhënie Pune (Komisioni i shkallës së dytë), i cili konstatoi se shtatë administratorë shqiptarë në Ministrinë për Marrëdhënie Ndëretnike janë larguar padrejtësisht nga puna, zëvendëskryeministri Ivan Stoilkoviq vazhdon të mos ndërmarrë asnjë hap për rikthimin e tyre.
Sipas burimeve brenda ministrisë, edhe pse Komisioni ka hedhur poshtë vendimin për largim nga puna dhe ka konstatuar shkelje procedurale, vendimi i ministrit për suspendim mbetet ende në fuqi, shkruan gazeta KOHA. Si pasojë, shtatë administratorët shqiptarë nuk lejohen të kthehen në vendet e tyre të punës.
“Vendimi i Komisionit është i qartë, por ministri nuk ka anuluar aktin e parë – atë të suspendimit dhe nuk ka miratuar vendim të ri për kthim në punë. Praktikisht, ai po e injoron institucionin mbi të”, thonë për KOHA njohës të procedurave administrative.
Më 30 janar, Komisioni i shkallës së dytë konstatoi se nuk ekzistonin shkelje nga ana e administratorëve dhe se ministri nuk kishte respektuar procedurat ligjore, konkretisht kishte ndërmarrë masa pa marrë pëlqimin e Agjencisë së Administratës dhe pa paraqitur prova të mjaftueshme.
Megjithatë, pavarësisht këtij vendimi, situata mbetet e pandryshuar. Burime nga ministria vlerësojnë se bëhet fjalë për një sfidë të hapur ndaj ligjit dhe rendit institucional.
“Vendimi i Komisionit ishte goditje për ministrin. Tani ai, duke mos e zbatuar, praktikisht sfidon ligjet dhe rregulloret që rregullojnë administratën shtetërore”, thonë burimet.
Largimi nga puna i shtatë administratorëve kishte ndodhur më 25 dhjetor. Arsyetimi zyrtar nga kabineti i Stoilkoviqit ishte një “masë disiplinore”, e ilustruar publikisht me një video ku shfaqej një divan i improvizuar brenda hapësirave të ministrisë.
Por sipas punonjësve dhe burimeve të brendshme, realiteti është krejt tjetër: dhjetëra punonjës, kryesisht shqiptarë, vazhdojnë të qëndrojnë të grumbulluar në zyra prej vetëm 16 metrash katrorë, pa karrige, pa kompjuterë dhe pa detyra konkrete pune. (koha.mk)










