Një stuhi e fuqishme e shoqëruar me erëra të forta, reshje dhe bubullima ka goditur Shkupin dhe zonën përreth pasditen e sotme. Pamje të publikuara në rrjetet sociale tregojnë pasoja të motit të keq, përfshirë një video ku shihet një pemë e rrëzuar në autostradën Shkup–Tetovë.
Deri në këto momente, nuk raportohen persona të lënduar apo dëme të konsiderueshme materiale, por autoritetet apelojnë për kujdes të shtuar në komunikacion.
Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike (DPHM) ka paralajmëruar për mot të paqëndrueshëm në të gjithë vendin, me theks të veçantë në pjesët perëndimore dhe qendrore të Maqedonisë së Veriut.
“Reshje intensive vërehen në perëndim të Shkupit, drejt Tetovës dhe Gostivarit, gjë që tregon praninë e vranësirave aktive konvektive me shi të rrëmbyeshëm dhe ndoshta breshër”, thuhet në njoftimin e DPHM-së.
Autoritetet meteorologjike vijojnë të monitorojnë situatën, ndërsa qytetarët këshillohen të shmangin lëvizjet e panevojshme gjatë orëve të pasdites dhe mbrëmjes.





