Trendy

Stuhi në SHBA! Rreth 500 fluturime të anuluara, aksident mes 45 automjeteve në Indiana

Para 2 muaj

Për shkak të stuhisë së fortë të dëborës dhe problemeve me softuerin, aeroportet në SHBA kanë regjistruar 1.815 vonesa fluturimesh dhe 490 anulime, sipas të dhënave nga FlightAware, një kompani amerikane që ofron të dhëna për ndjekjen e fluturimeve në kohë reale.

Më shumë vonesa dhe anulime janë regjistruar në aeroportet e Çikagos, Nju Jorkut, Bostonit, Mineapolisit dhe Detroitit, raporton CBS News. Kompanitë ajrore njoftuan gjithashtu ndërprerje të orareve gjatë fundjavës pasi Administrata Federale e Aviacionit (FAA) urdhëroi që mijëra avionë Airbus A320 në të gjithë botën të përditësonin softuerin e tyre.

Shërbimi Kombëtar Meteorologjik lëshoi paralajmërime për stuhi dimërore nga Montana deri në Ohio. Deri mbrëmë, më shumë se 1.400 fluturime ishin anuluar në aeroportet e Çikagos, ku pritej të binin deri në 25 cm borë, ndërsa aeroportet e Detroitit regjistruan mbi 300 vonesa dhe dhjetëra anulime.

Një aksident masiv me 45 automjete ndodhi në një autostradë ndër-shtetërore në Indiana të shtunën në mëngjes, në korsitë perëndimore të I-70 afër Terre Haute, gjatë kushteve me borë. Zyrtari i policisë së Indiana, Mejt Ejms, tha se nuk pati të lënduar serioz.

Rreth pesë orë pas aksidentit, ai konfirmoi se të gjitha automjetet ishin larguar nga rruga.

“Njerëz, nëse mund të qëndroni në shtëpi, qëndroni. Ata që duhet të vozisin, bëni kujdes: ngadalësoni shpejtësinë dhe sigurohuni që rripat e sigurimit të jenë vendosur, që të gjithë të jemi të sigurt,” tha Ejms.

Trending