Reshje intensive shiu, erëra të forta dhe breshër kanë përfshirë pjesë të mëdha të Austrisë dhe Slovenisë, duke shkaktuar probleme në disa rajone dhe duke detyruar autoritetet të lëshojnë paralajmërime për mot të rrezikshëm.
Në Austri, shërbimet meteorologjike kanë aktivizuar nivelin e kuq të alarmit për disa shtete federale, përfshirë Tirolin, Salzburgun, Austrinë e Poshtme, Styria-n dhe Karinthian, ku stuhitë u shoqëruan me breshër dhe erëra të forta.
Si pasojë e kushteve të vështira atmosferike, zjarrfikësit janë angazhuar në dhjetëra ndërhyrje, ndërsa disa aktivitete publike dhe festivale janë ndërprerë për arsye sigurie.
Ndërkohë, në Slloveni, Agjencia Kombëtare e Mjedisit ka ngritur nivelin e paralajmërimit në portokalli për rajonet verilindore të vendit, duke paralajmëruar rrezik nga reshjet e dendura, stuhitë dhe breshëri.
Pamjet e publikuara në rrjetet sociale dhe mediat lokale tregojnë intensitetin e motit të keq, me rrugë të mbuluara nga uji dhe breshëri, si dhe dëme të raportuara në disa zona.
Meteorologët paralajmërojnë se moti i paqëndrueshëm mund të vazhdojë edhe në orët në vijim, duke u bërë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale.










