Komuna e Butelit dhe drejtoresha e shkollës “Penko” po e arsyetojnë mbylljen e paralales shqipe dhe mospranimin e nxënësve nga Çairi me ligjin për arsimin dhe rajonizimin e shkollave.
Por kjo ngre pikëpyetje, sidomos për faktin se aktualisht në “Penko” ka nxënës që jetojnë në territorin e Çairit.
Zv/ministri i Arsimit, Driton Sulejmani thotë se ligji lejon mundësi për pranimin e nxënësve nga komunat tjera, sidomos kur ata janë në afërsi të shkollës dhe kur numri i nxënësve në paralele është i vogël.
“Ligji e lejon kryetarin e komunës ose diçka të tillë që të mos pranojë nxënës nga komunat tjera, mirëpo rajonizimi i shkollës ka një territor të caktuar dhe të gjithë nxënësit që i takojnë atij territori kanë të drejtën pastaj që të regjistrohen në shkollën konkrete. Sidomos në rastet kur, ta zëmë, numri i nxënësve është më i vogël dhe në mënyrë të tillë i jepet mundësia që të formohet paralele duke marrë edhe nxënës që mund t’i takojnë një komune tjetër, mirëpo janë në afërsi të shkollës. Mendoj që në këtë rast konkret do të gjendet një zgjidhje e caktuar dhe gjithsesi mendoj që paraleleja mund të shpëtohet dhe nuk duhet të mbyllet”, u shpreh Sulejmani.
Zëvendësministri Sulejmani tha se Ministria e Arsimit tashmë po e ndjek rastin dhe paralajmëroi se do të kërkojë të gjitha informacionet nga shkolla, Komuna e Butelit dhe prindërit, për të gjetur një zgjidhje në përputhje me ligjin dhe në interes të nxënësve.
Sipas tij, nëse paralelja ka 18 nxënës siç është përmendur, nuk ka arsye të mbyllet, ndërsa zgjidhja mund të gjendet nëse shkolla dhe Komuna e Butelit i drejtohen ministrisë për miratimin e saj.











