Trendy

Sulmet izraelite në Bejrut, OBSH-ja ngre alarmin: Spitalet në Liban në prag kolapsi

Para 2 orë

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka ngritur alarmin se disa spitale në Liban rrezikojnë të mbeten pa komplete mjekësore për menaxhimin e traumave që shpëtojnë jetë, vetëm pak ditë pas bombardimeve të rënda izraelite të së mërkurës.

“Disa nga furnizimet për menaxhimin e traumave ishin tashmë në mungesë dhe mund të na mbarojnë brenda pak ditësh”, ka deklaruar për Reuters-in Dr. Abdinasir Abubakar, përfaqësuesi i OBSH-së në Liban.

Paketat e traumës përfshijnë materiale thelbësore si fasha, antibiotikë dhe anestetikë, të cilat janë jetike për trajtimin e të plagosurve nga sulmet e luftës. Sipas OBSH-së, sistemi shëndetësor i Libanit është tashmë nën presion të madh për shkak të numrit të lartë të viktimave dhe plagosjeve.

Kujtojmë se sulmet izraelite të së mërkurës vranë të paktën 254 persona dhe plagosën më shumë se 1,100 të tjerë në të gjithë Libanin, sipas mbrojtjes civile libaneze. Vetëm në kryeqytetin Beirut u raportuan 91 të vdekur.

Sulmet e fundit kanë mbingarkuar spitalet, të cilat po luftojnë me furnizime të kufizuara, personel të pakësuar dhe infrastruktura të dëmtuar. OBSH ka theksuar se pa furnizime të reja urgjente, kapaciteti për të trajtuar të plagosurit me lëndime të rënda do të ulet ndjeshëm në ditët në vijim.

Kjo situatë vjen në një moment kur Libani po përballet me një krize humanitare të thelluar, me mijëra të zhvendosur dhe sistemin shëndetësor që është në buzë të kolapsit pas muajsh tensionesh dhe sulmesh të përsëritura.

OBSH ka bërë thirrje për akses të menjëhershëm humanitar dhe furnizime shtesë për të shmangur një katastrofë të mëtejshme shëndetësore.

Trending