Trendy

Suspendohet ish-kryetari i FFM-së për dy vite!

Para 3 orë

Federata e Futbollit të Maqedonisë njoftoi sot se ish-kreu i futbollit maqedonas ka marrë dënim me dy vjet pezullim nga ushtrimi i çfarëdo funksioni në futboll.

Sejdini e mori dënimin për veprën “mashtrim dhe vënie në lajthitje të një organi të organizatës së futbollit”, në përputhje me nenin 84 të Rregullores Disiplinore.

Siç theksohet, ish-kryetari, pa miratim nga Bordi Drejtues, ka paguar 20% të shumës së përgjithshme prej 202.919.610,00 denarë (3.2 milionë euro), përkatësisht mbi 660.000 euro.

“Është konstatuar se Bordi i Urgjencës i FFM-së më 27.11.2024 ka marrë vendim për pranimin e ofertës së DPTU ENERGOINVEST TREJD SHPK Shkup për ndërtimin e tribunës në stadiumin ‘Biljanini Izvori’ në Ohër, në vlerë prej 202.919.610,00 denarë pa TVSH, pa kusht për pagesë avansi, dhe ka autorizuar kryetarin e atëhershëm, Muamed Sejdini, të nënshkruajë kontratën sipas ofertës së pranuar.

I njëjti vendim më vonë është konfirmuar edhe nga Bordi Drejtues i FFM-së.

Megjithatë, më 03.12.2024, Muamed Sejdini, duke keqpërdorur pozitën e tij, ka nënshkruar kontratë me kusht të shtuar për pagesë avansi prej 20%, i cili nuk ka qenë pjesë e ofertës së pranuar, ndërsa avansi është paguar pa garanci bankare dhe pa autorizimin përkatës.

Me këtë veprim, Komisioni Disiplinor konstatoi se Muamed Sejdini ka mashtruar dhe ka vënë në lajthitje Bordin Drejtues të FFM-së, duke i shkaktuar Federatës dëm serioz material, për çka i është shqiptuar sanksioni përkatës disiplinor”, thuhet në njoftimin e FFM-së.

Trending