Në kuadër të vizitës së parë historike të një delegacioni parlamentar nga Maqedonia e Veriut në Baku, kryeparlamentari, Afrim Gashi, ka zhvilluar takime të rëndësishme me përfaqësues të lartë të shtetit të Azerbajxhanit, duke shënuar një hap të madh drejt forcimit të marrëdhënieve dypalëshe.
Gashi është takuar me ministrin e Punëve të Jashtme të Azerbajxhanit, Xhejhun Bajramov, me të cilin ka diskutuar për intensifikimin e komunikimit ndërinstitucional dhe afrimin mes qytetarëve të dy vendeve. Të dy bashkëbiseduesit janë shprehur të përkushtuar për avancimin e partneritetit strategjik në fusha të ndryshme.
Një tjetër takim kyç ka qenë ai me ministrin e Energjisë, Parviz Shahbazov, ku fokusi ishte bashkëpunimi në sektorin energjetik. Është diskutuar për projekte konkrete dhe mundësinë e shfrytëzimit të ekspertizës së Azerbajxhanit në këtë fushë, me theks në zhvillimet e qëndrueshme dhe burimet alternative të energjisë.
Gashi ka falënderuar për mikpritjen dhe ka theksuar gatishmërinë e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut për të ndërtuar ura të reja të miqësisë dhe bashkëpunimit me Azerbajxhanin.
Vizita vlerësohet si një moment i rëndësishëm për diplomacinë parlamentare dhe për afirmimin e rolit të Maqedonisë së Veriut në arenën ndërkombëtare.










