Presidentja Gordana Siljanovska-Davkova priti sot në takim kryetarin e Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, i cili e ftoi atë të marrë pjesë në “Mbrëmjen maqedonase” në kuadër të manifestimit kulturor, artistik dhe sportiv “Tetova feston – Vera Kulturore e Tetovës 2025”.
Gjatë takimit, Kasami prezantoi përkushtimin e tij për zhvillimin dhe afirmimin e kulturës dhe sportit, në funksion të plotësimit të nevojave të të rinjve dhe forcimit të respektit të ndërsjellë.
Po ashtu, ai e informoi presidenten për projektin e ndërtimit të pishinave shkollore, duke theksuar rëndësinë e realizimit të stacionit për pastrimin e ujërave përmes fondeve IPA, si një nga investimet më të domosdoshme për mbrojtjen e mjedisit ujor.
Presidentja nënvizoi rëndësinë e zgjidhjes së çështjeve që lidhen me të rinjtë, mjedisin dhe ekologjinë, si në nivel lokal, ashtu edhe në atë qendror.
Sipas saj, vetëqeverisja lokale mbetet faktor kyç për zgjidhjen e problemeve jetike të qytetarëve dhe për zhvillimin e demokracisë.










