LONDËR – Kryeministri polak, Donald Tusk ka folur së fundmi lidhur me konfliktin 3-vjeçar Rusi-Ukrainë, qasjen e SHBA-së ndaj luftës si dhe rolin që Bashkimi Evropian duhet të marrë pas kthesës së administratës Trump.
Nga Samiti i Londrës që u mbajt një ditë më parë në lidhje me luftën, Tusk i cilësoi zhvillimet më të fundit “një paradoks”.
Referuar takimit të liderëve europianë, në të cilin u theksua se “Europa duhet të riarmatoset urgjentisht”, Tusk u shpreh se kjo deklaratë sfidon logjikën, pasi është e pabesueshme që 500 milionë europianë u kërkojnë 300 milionë amerikanëve t’i mbrojnë nga 140 milionë rusë.
Tusk më tej bëri thirrje që Evropa të marrë përgjegjësitë e saj dhe të kuptojë se është një fuqi globale.
“Zonja dhe zotërinj, kjo që po ndodh është një paradoks”, tha në mënyrë karakteristike kryeministri polak, duke iu referuar qëndrimit të shteteve europiane për luftën dhe shtoi: “500 milionë europianë u kërkojnë 300 milionë amerikanëve t’i mbrojnë nga 140 milionë rusë”,- shprehet Tusk në një reagim në “X”.
Reagimi i kryeministrit Polak, vjen fill pas mbledhjes së liderëve europianë në Londër, të dielën e 2 marsit, takim i cili synonte të siguronte garanci të reja përballë mosangazhimit amerikan, ku u diskutu edhe për fatin e kontinentit.
Këto takime vijnë pas takimit tensionues mes presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, dhe homologut të tij amerikan Donald Trump pak ditë më parë në Shtëpinë e Bardhë, i cili u pasua me një sërë reagimesh në rrjet.
Takimi synonte për një marrëveshje që do t’i mundësonte Shteteve të Bashkuara qasjen tek të drejtat e mineraleve të rralla të Ukrainës, si dhe prezantimin e planit për paqe me Rusinë por diskutimi mori një ton luftarak dhe Trump dëboi nga Shtëpia e Bardhë Zelenskyn, duke mos realizuar kështu edhe nënshkrimin e marrëveshjes. Trump deklaroi se Zelensky mund të kthehet ‘kur të jetë gati për paqe’.
Takimi tensionues shkaktoi dyshime për një ‘braktisje’ të mundshme të Ukrainës nga SHBA, ecila alarmoi Evropën. Pa mbështetjen e SHBA-së, situata në Ukrainë mbetet e vështirë, pasi vetë Evropa e sheh të pamundur të zëvendësojë gjithçka që ofron SHBA.