Trendy

“Tani ka ardhur koha të flasim”, Trump i hap derën Iranit për bisedime!

Para 7 muaj

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, deklaroi të enjten se beson që Irani është i gatshëm të bisedojë me Uashingtonin, duke shprehur gatishmëri për një takim me përfaqësues të Republikës Islamike, pavarësisht mungesës së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve që nga viti 1979.

“Irani dëshiron të flasë, mendoj se ata do të donin të flisnin me mua, dhe është koha që ta bëjnë këtë”, u tha presidenti amerikan gazetarëve në Bazën Ajrore Andrews, përpara nisjes për në Iowa.

Trump theksoi se SHBA-të nuk kanë si qëllim të dëmtojnë Iranin, por ta ndihmojnë të “bëhet përsëri një vend”, duke lënë të kuptohet për një mundësi ripërtritjeje të marrëdhënieve, nëse Teherani tregon gatishmëri për bashkëpunim.

Deklarata e tij vjen vetëm pak ditë pasi SHBA urdhëroi bombardime ndaj tre objekteve bërthamore iraniane, veprim që i parapriu një armëpushimi të papritur, i cili i dha fund një konflikti 12-ditor mes Izraelit dhe Iranit – një nga përshkallëzimet më të rënda të kohëve të fundit në rajon.

Trump: Duam që populli i Gazës të jetë i sigurt

Në të njëjtën konferencë shtypi, presidenti amerikan komentoi edhe për situatën në Rripin e Gazës, duke u shprehur se shpreson që civilët palestinezë të jenë të sigurt në mes të përshkallëzimit të operacioneve ushtarake izraelite.

“Dua që populli i Gazës të jetë i sigurt mbi të gjitha. Ata kanë kaluar nëpër ferr”, tha Trump, kur u pyet nëse ende dëshiron që SHBA-të të “marrin kontrollin” e enklavës palestineze, një koment i mëparshëm që kishte ngjallur reagime të forta ndërkombëtare.

Trump konfirmoi gjithashtu se do të mirëpresë në Shtëpinë e Bardhë kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu javën e ardhshme dhe do të kërkojë që palët të arrijnë një armëpushim të qëndrueshëm.

Trending