Trendy

Taravari pendohet? Tani thotë se mund të garojë me lista të përbashkëta!

Para 9 muaj

Pas largimit të bujshëm nga koalicioni VLEN për shkak të mospajtimit rreth daljeve të përbashkëta në zgjedhjet lokale, kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, tani lë të hapur një skenar të ri politik – mundësinë e garimit me lista të përbashkëta, këtë herë me Frontin Europian.

Në deklaratën e tij më të fundit, Taravari ka thënë:
“Do të ketë grupe pune të cilat do të vazhdojnë të koordinohen edhe ta shohim a dalim me lista të përbashkëta apo të veçanta. Në parim unë si kryetar kam qenë që të dalim me lista të veçanta, por e shoh tash edhe prej anëtarësisë tonë dhe kryesisë ka disponim, eventualisht në qoftë se mund të gjendet një gjuhë e përbashkët për të dale me lista të përbashkëta, por për këtë duhet të vendos kryesia dhe kuvendi i parties.”

Kjo deklaratë përbën një kthesë të dukshme në qëndrimin e Taravarit, i cili muaj më parë braktisi koalicionin VLEN pikërisht për të kundërshtuar modelin e listave të përbashkëta për këshilltarë në zgjedhjet komunale. Tani, ai vetë e pranon se ekziston “disponim në parti” për bashkëpunim të mundshëm me Frontin Europian – një hap që shihet si afrim i heshtur drejt ish-partnerëve të qeverisë së kaluar.

Nga ana tjetër, VLEN dhe VMRO-DPMNE po e konsolidojnë bashkëpunimin e tyre për zgjedhjet lokale, por me qasje fleksibile. Bilall Kasami ka deklaruar:
“Si koalicion Qeveritar, ashtu si ka qenë në të kaluarën do të ketë bashkëpunim në drejtim të përkrahjes aty ku njëri kandidat i partnerëve të koalicionit do të shkoj në raundin e dytë apo balotazh. Sa i përket fazës së parë, ne do të shkojmë në të gjitha komunat ku ka gjasa kandidati shqiptar të garojë për kryetar komune.”

Edhe Hristijan Mickoski, kreu i VMRO-DPMNE-së, ka konfirmuar vijimësinë e bashkëpunimit me VLEN:
“Në lidhje me koalicionin VLEN, gjithashtu pres që nga raundi i parë në komuna të caktuara të mbështesim kandidatët e këtij koalicioni.”

Nëse ky bashkëpunim realizohet që në raundin e parë, atëherë VMRO-DPMNE nuk do të paraqesë kandidatë në komunat me shumicë shqiptare – një strategji që vë në kontrast pozicionin e Taravarit, i cili deri vonë refuzonte çdo koordinim zgjedhor me partitë rivale.

Sakaq, edhe LSDM ka njoftuar publikisht se nuk do të garojë në komunat me shumicë shqiptare, duke lënë hapësirë për garën e partnerëve shqiptarë të qeverisë aktuale.

Këto zhvillime rikthejnë në qendër të debatit politik qëndrueshmërinë e aleancave, ndërsa zgjedhjet lokale po afrohen dhe partitë po vendosin se kush me kë do të shkojë në garë. Taravari, duket se po riformulon kursin. A është ky pendim apo manovër e re politike? Përgjigjen do ta japin votat.

Trending