Arben Taravari tha se projekti i koalicionit VLEN ka qenë i paqëndrueshëm dhe i ndërtuar mbi përçarje të thella ideologjike dhe organizative mes partive përbërëse.
Ai theksoi se nga katër partitë që formonin VLEN-in, tre ishin derivate të BDI-së dhe vetëm Aleanca për Shqiptarët vinte nga linja e PDSH-së.
“Ata tre funksiononin si një trup i përbashkët, ne ishim trupi i huaj aty”, tha Taravari.
Ai shtoi se koalicioni nuk mund të funksiononte, sidomos kur ndarja e drejtorive dhe pushtetit bëhej me short dhe kur nuk kishte unitet për vendime strategjike.
Taravari ka shkuar më tej dhe ka ka akuzuar VMRO-DPMNE-në se po tenton të imponojë kandidatët shqiptarë për zgjedhjet lokale, përmes një forme të re të ndikimit të heshtur – përmes “kandidatëve të pavarur” të sponsorizuar.
Ai tha se kjo po ndodh në disa komuna, përfshirë edhe Strugën dhe Gostivarin, ku VMRO ka treguar preferenca të hapura për disa emra që duhen mbështetur nga partitë shqiptare.
“Momenti që ta imponon partneri maqedonas kandidatin ‘e pavarur’, praktikisht ai nuk është kandidati yt”, tha ai.
Sipas Taravarit, kjo është një përpjekje për të zgjeruar ndikimin e VMRO-së edhe në nivelin lokal dhe për të margjinalizuar realisht përfaqësimin shqiptar.





