Trendy

Të hënën pritet që BE-ja të heqë përfundimisht të gjitha masat ndëshkuese ndaj Kosovës

Para 3 javë

Bashkimi Evropian pritet që të hënën, më 2 mars, të heqë të gjitha masat ndëshkuese ndaj Kosovës, të vendosura para më shumë se dy vite e gjysmë.

Koha mëson nga burimet e BE-së se vendimi për këtë është marrë nga organet përkatëse të Komisionit Evropian dhe do të miratohet edhe nga vendet anëtare në takimin e Grupit punues për Ballkanin Perëndimor (COWEB) të hënën, në takimin e tyre në Bruksel.

Heqjen e të gjitha masave ndaj Kosovës e kishte paralajmëruar edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, pas një takimi me liderët e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe presidenten Vjosa Osmani. Në atë kohë, nga Komisioni Evropian kishin paralajmëruar se të gjitha masat do të hiqen “në pjesën e hershme të vitit 2026”. Prej atëherë, në Komisionin Evropian arsyetoheshin se “janë duke punuar në heqjen e masave të mbetura” dhe se do të përmbushet paralajmërimi i presidentes Ursula von der Leyen.

Në fund të vitit të shkuar, Komisioni Evropian i kishte hequr masat për rreth 50 për qind të asistencës financiare, në vlerë prej përafërsisht 216 milionë eurosh. Tash do të hiqen të gjitha masat, duke përfshirë edhe lirimin e 205 milionë eurove mjete nga Programet e Paraanëtarësimit dhe nga Fondi i Investimeve për Ballkanin Perëndimor.

Masat ndaj Kosovës ishin vendosur në qershor të vitit 2023, si ndëshkim ndaj veprimeve të autoriteteve të Kosovës që BE-ja dhe disa partnerë të tjerë, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Republika e Shqipërisë, i vlerësuan si “veprime të njëanshme, të pakoordinuara, të cilat rrisin tensionet në veri të Kosovës”.

Trending