Trendy

Teherani: Negociatat me SHBA-në dështuan për tre çështje të mëdha

Para 7 orë

Bisedimet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara kanë dështuar për shkak të një “hendeku qëndrimesh mbi dy ose tre çështje të rëndësishme”, ka bërë të ditur Ministria e Jashtme e Iranit.

Zëdhënësi i diplomacisë iraniane, Esmaeil Baghaei, deklaroi për televizionin shtetëror se “në fund, bisedimet nuk çuan në një marrëveshje”.

Ai nuk dha detaje të mëtejshme mbi cilat ishin këto çështje kyçe që penguan arritjen e një kompromisi mes palëve.

Sipas Baghaeit, në disa tema delegacionet e Iranit dhe SHBA  arritën madje edhe “mirëkuptim të ndërsjellë”, duke lënë të kuptohet se dialogu nuk ka qenë tërësisht i pasuksesshëm në të gjitha fushat.

Ai shtoi se gjatë bisedimeve është diskutuar edhe Ngushtica e Hormuzit, një nga pikat më të ndjeshme gjeopolitike në rajon, por nuk konfirmoi nëse në tryezë është trajtuar çështja e programit bërthamor iranian.

Ndërkohë Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance tha se Teherani refuzoi të pranonte kushtet e Uashingtonit pas 21 orësh bisedimesh në Islamabad.

“Lajmi i keq është se nuk kemi arritur një marrëveshje dhe mendoj se ky është një lajm i keq për Iranin shumë më tepër sesa për Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, u tha gazetarëve JD Vance, pak para se të largohej nga Islamabadi pas takimit të nivelit më të lartë midis Uashingtonit dhe Teheranit që nga revolucioni islamik i vitit 1979.

Trending