Biseda telefonike midis presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, dhe homologut të tij rus, Vladimir Putin, përfundoi pas rreth një ore, ku secili shprehu gatishmërinë për të kërkuar një zgjidhje të negociuar për konfliktin në Ukrainë. Trump theksoi nevojën për ndërprerje të shpejtë të konfliktit, ndërsa Putin përsëriti qëndrimin e Moskës se do të arrijë qëllimet e saj për të hequr problemet rrënjësore që çuan në konflikt, duke mos u tërhequr nga planet e veta.
Putin dhe Trump diskutuan gjithashtu për situatën në Iran dhe Lindjen e Mesme, dhe ranë dakord për vazhdimin e bisedimeve në të ardhmen.
Diplomati Yuri Ushakov tha se Putin informoi Trumpin për zbatimin e marrëveshjeve të shkëmbimit të të burgosurve dhe ushtarëve të vdekur mes Rusisë dhe Ukrainës, dhe përgatitjen për negociata të mëtejshme.
Kjo telefonatë vjen pak para një bisede të parashikuar për datën 4 korrik midis Trump dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.
Në një zhvillim tjetër të rëndësishëm, Pentagoni ka pezulluar dërgimin e armëve për Ukrainën, duke ndaluar furnizimet që ishin në pritje për tu dërguar nga Polonia në Ukrainë. Sipas raportimeve, në këtë bllokadë përfshihen mbi 24 raketa Patriot PAC-3, sisteme mbrojtëse Stinger, raketa Hellfire dhe raketa ajër-ajër AIM për avionët F-16 ukrainas.
Ky zhvillim ngre shqetësime për kapacitetin mbrojtës të Ukrainës në një moment kritik, ndërsa ofensiva ruse vazhdon dhe mbështetja perëndimore përballë këtij konflikti është në pikëpyetje.










