Një ngjarje dramatike është parandaluar sot në Tetovë, ku një vajzë e re tentoi të hidhej nga dritarja e një moteli, duke kërcënuar se do t’i jepte fund jetës. Sipas informacioneve të konfirmuara nga MPB për Lideri.mk, rasti ndodhi rreth orës 14:35, pas një njoftimi të dhënë nga L.K., i cili kishte raportuar për një mosmarrëveshje me një vajzë që refuzonte të largohej nga moteli.
Oficerët e Policisë së Tetovës ndërhynë me shpejtësi dhe konstatuan në vendngjarje se vajza ndodhej në buzë të dritares së dhomës, duke kërcënuar se do të hidhej ose do të vetëlëndohej me një objekt të mprehtë që mbante në dorë.
Me urdhër të prokurorit publik, policët përdorën forcë për të hapur derën dhe arritën ta shpëtojnë vajzën në momentet vendimtare. Ajo është dërguar menjëherë në Spitalin Klinik të Tetovës për trajtim mjekësor.
Ndërkohë, L.K. është privuar nga liria me dyshimin për ndërmjetësim në prostitucion.
Hetimet për rastin vazhdojnë dhe autoritetet paralajmërojnë ngritjen e kallëzimeve përkatëse penale.










