Trendy

Tetova dhe Gostivari “pushtohen” nga fëmijë lypës

Para 5 orë

Shkruan Urim HASIPI

Rrugët e dy qyteteve të Pollogut, respektivisht Tetovës dhe Gostivarit në këtë periudhë të vitit janë stërmubushur me lypës, kryesisht të moshave të mitur. Të njëjtit mund të hasen në vende më të frekuentuara, kryesisht pranë institucioneve, qendrave tregtare, në trotuare, afër lokaleve dhe gjetiu. Bëhet fjalë për fëmijë të komunitetit rom në moshë të mitur të cilët shfrytëzojnë edhe muajin e Ramazanit për të kërkuar lëmoshë. Jo rrallë herë të njëjtit nuk janë të shoqëruar nga më të moshuarit që përbën edhe një shkelje më të rëndë të ligjeve në fuqi për shkak se lypsaria është e ndaluar rreptësisht, sidomos për fëmijët.

Dyshimet janë se këta fëmijë sillen nga qytete tjera dhe pastaj I lëshojnë në rrugët e Tetovës dhe Gostivarit për të kërkuar lëmoshë. Institucionet sociale që merren me këtë problematikë, më vështirë e kanë me fëmijët të cilët sillen nga qytete tjera, pa asnjë dokument dhe pastaj është problem që të gjenden prindërit.

Lypësit e vegjël të cilët hasen në rrugë largohen dhe marrin vërejtje që sërish mos e kryejnë këtë veprimtari por sipas informacioneve zakonisht lypësit janë nga qytete tjera pa dokumente dhe është vështirë të identifikohen sepse sillen në mëngjes në këtë qytet dhe në mbrëmje largohen, pohojnë nga policia dhe nga qendrat sociale në Gostivar dhe Tetovë. Nga aksionet e përbashkëta të policisë dhe qendrave për punë sociale janë larguar dhjetëra fëmijë nga rrugët që shtrijnë dorën për lëmoshë dhe janë ndihmuar por problem mbetet se këta fëmijë shpesh herë detyrohen nga persona tjerë të ushtrojnë këtë veprimtari.

Nga këta institucione thonë se nëse një fëmijë nuk është i qytetit, atëherë kontaktojnë qendrat tjera sociale ose policinë dhe kur mësohet se nga cili qytet janë atëherë ata kthehen atje. Ndërsa, për fëmijët që janë të qytetit ose rrethinës, kontaktojnë me prindërit dhe njoftohen me pasojat që sjell dukuria e lypsarisë. Por, edhe përskaj këtyre aksioneve, rrugët e këtyre dy qyteteve vazhdojnë të vërshohen kryesisht gjatë ditës, ndërsa gjatë natës ose kthehen në shtëpi ose kërkojnë lëmoshë nëpër fshatra.

Kësisoj, rrugëve të Tetovës dhe Gostivarit numri I fëmijëve që kërkojnë lëmoshë gjatë kësaj periudhe është shumëfishuar. Kryesisht, të njëjtit hasen pranë objekteve fetare ku edhe ka frekuentim më të madh të qytetarëve dhe aty kërkojnë para nga besimtarët, të cilët nuk ngurrojnë të ndihmojnë. Sipas punëtoreve social fillimisht kur do të takojnë një nënë me fëmijë në rrugë i jepet vërejtje me shkrim se fëmijët duhet të dërgohen në shkollë, duhet që të ketë sigurim shëndetësor dhe e tërë kjo bëhet në interes të fëmijëve, por shpesh herë këto vërejtje hasin në vesh të shurdhër.

Nga Sektori për Punë të Brendshme Tetovë sqarojnë se ky fenomen është në kundërshtim me ligjin për kundërvajtje kundër rendit dhe qetësisë publike, kurse gjobat janë nga 15 deri në 50 euro në kundërvlerë në denarë, ndërsa prindërit të cilët do të përfshijnë fëmijët e tyre në kërkim të lëmoshës dhe do t`i lënë pasdore do të përballen me përgjegjësi penale dhe me burg. (koha.mk)

Trending