Trendy

Tetova feston 28 Nëntorin, nënkryetari Qamili: Dita e sakrificës dhe krenarisë

Para 2 muaj

Në Shkollën e Mesme të Mjekësisë “Nikolla Shtejn” në Tetovë u mbajt sot një manifestim solemn me rastin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit, një prej datave më të rëndësishme të historisë dhe identitetit shqiptar.

Në këtë aktivitet mori pjesë edhe nënkryetari i Komunës së Tetovës, Albi Qamili, i cili në fjalimin e tij theksoi rëndësinë e kësaj dite, duke e cilësuar si ditën e sakrificës, lirisë dhe krenarisë së popullit shqiptar.

Qamili u shpreh se Nëntori gjithmonë na rikujton betejat dhe përpjekjet e brezave të tërë për liri dhe dinjitet kombëtar. Ai nënvizoi se rruga e popullit shqiptar deri në shtetformim dhe zhvillim ka qenë e mbushur me sfida, por gjithashtu edhe me momente të mëdha uniteti dhe kurajoje.

“Në këtë ditë kujtojmë të rënët tanë dhe ata që me vetëmohim kontribuan për lirinë tonë. Detyra jonë sot është të vazhdojmë këtë rrugë me përgjegjësi, unitet dhe dashuri për njëri-tjetrin,” u shpreh nënkryetari Qamili.

Ai shtoi se ndërtimi i një të ardhmeje më të mirë për fëmijët dhe të rinjtë fillon me përkushtim ndaj arsimit, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes dhe forcimit të shkollimit në gjuhën shqipe.

Manifestimi u mbyll me aktivitete kulturore të përgatitura nga nxënësit dhe profesorët e shkollës, të cilët me këngë, recitime dhe performanca sollën atmosferën festive të Ditës së Flamurit.

Trending