Trendy

Tetova pa zjarre aktive, por kishte 500 në 6 muaj! 74-vjeçari ndalohet nga Policia pasi ndezi zjarr afër pompës së benzinës

Para 8 muaj

Në Tetovë nuk ka zjarre aktive, edhe pse vetëm për gjashtë muaj ka pasur mbi 500 zjarre, të cilat shumica kanë qenë në hapësira të hapura. Këtë e konfirmon komandanti i njësisë kundër zjarrit në Tetovë, Avni Ahmeti, i cili thotë se shumica e zjarreve shkaktohen nga pakujdesia e qytetarëve gjatë djegieve që bëjnë në tokat e tyre.

“Në Pollog, apo në zonën që mbulon njësiti ynë, nuk kemi zjarre aktive. Kemi pasur intervenime të shumta. Këto ditë dihet që qytetarë të pandërgjegjshëm ndezin zjarre dhe duhet sa më shpejt të intervenohet. Kemi pasur mbi 500 intervenime deri tani, që nga fillimi i këtij viti, dhe është një rritje shumë e madhe që zjarrfikësit e Tetovës e kanë përballuar”, tha Avni Ahmeti – Komandant i Njësisë Kundër Zjarrit Tetovë.

Ndërsa dje është privuar nga liria një 74-vjeçar që ka djegur barishte në tokën e tij, e cila ka qenë afër një pompe të benzinës në Tetovë.

“Gjatë ditës së djeshme, rreth orës 20:00, zyrtarë të Sektorit për Punë të Brendshme të Tetovës kanë privuar nga liria 74-vjeçarin S.S. nga Reçica e Vogël, i cili gjatë kryerjes së punëve bujqësore në arën e tij, në rrugën ‘Ilindeni’, afër një pompe benzine, ka mbledhur shkurre dhe u ka vënë flakën”, tha Fatmir Rexhepi – Zëdhënës i SPBTetovë.

Nga SPB Tetovë dhe njësia kundër zjarreve bëjnë apel që qytetarët të jenë të kujdesshëm me ndezjen e zjarrit dhe me hedhjen e cigareve.

Trending