Trendy

Tetova po ndryshon – Kasami nis ofensivën për ujë të pastër në çdo shtëpi

Para 9 muaj

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka dhënë sinjalin për një transformim rrënjësor të infrastrukturës së ujësjellësit në qytet – një investim që nuk është thjesht teknik, por garantim i dinjitetit për çdo qytetar.

Nëpërmjet një postimi zyrtar, Kasami njoftoi se ekipet e Ndërmarrjes Publike “Sharri” kanë filluar sot punimet për zëvendësimin e tubacioneve të vjetruara, duke nisur nga lagjja Drenovec, një zonë që prej vitesh përballet me probleme në furnizimin me ujë të pijshëm.

“Në kuadër të planit për përmirësimin e infrastrukturës së furnizimit me ujë të pijshëm, ekipi i NP “Sharri” ka filluar sot punimet për zëvendësimin e linjave të vjetra të ujësjellësit në disa lagje të qytetit tonë. Aktualisht, punimet po zhvillohen në lagjen Drenovec, ku po ndërrohen tubacionet e amortizuara me linja të reja dhe të kapaciteteve të duhura,” ka shkruar Kasami.

Ky nuk është një aksion i izoluar, por faza e parë e një strategjie gjithëpërfshirëse që synon të modernizojë tërësisht sistemin e ujësjellësit në Tetovë.

“Ky projekt do të vazhdojë pa ndërprerje në të gjitha lagjet e Tetovës, aty ku ka nevojë për zëvendësimin e rrjetit të vjetër, deri në modernizimin e plotë të sistemit të ujësjellësit për gjithë qytetin,“ theksoi kryetari.

Në një mesazh drejtuar qytetarëve, Kasami u bëri thirrje atyre që përballen me mungesë të ujit që të mos heshtin, por të kërkojnë zgjidhje përmes kanaleve institucionale.

“U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që hasin vështirësi në furnizimin me ujë të pijshëm, të paraqiten pranë zyrave të NP “Sharri”, ku do të shqyrtohet çdo rast dhe do të gjendet zgjidhje e menjëhershme.”, ka shtuar Kasami duke nënvizuar se kjo është pjesë e vizionit të tij për një qytet funksional dhe të denjë për jetesë moderne:

“NP “Sharri” mbetet e përkushtuar për të garantuar furnizim të qëndrueshëm dhe cilësor me ujë për çdo familje në Tetovë!”, ka përfunduar kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami.

Ky aksion nuk është vetëm rikonstruksion teknik, por edhe një mesazh i qartë: qyteti po kthehet në duart e qytetarëve dhe institucionet po funksionojnë. Me këtë ritëm, Kasami po përpiqet ta bëjë Tetovën model për menaxhim të përgjegjshëm dhe investime që prekin jetën e përditshme të njerëzve.

Trending