Edhe pse çmimet e derivateve janë në rritje, ndërsa transporti urban në Tetovë është falas për një kategori qytetarësh, ata pak preferojnë të lëvizin me autobus. Thonë se më mirë u vjen me veturë.
“Deri tash, me të thënë të drejtën, shumë rrallë e kam përdorur, por tash jemi duke e shqyrtuar. Me rritjen e çmimeve të naftës, mendojmë se nuk është zgjidhja më e mirë, edhe ideale,” thotë një qytetar.
“E shfrytëzojmë, por pa veturë nuk bësh asgjë. Më vjen shumë më prapa; më lehtë më vjen me veturë,” thotë një tjetër.
“Jam nga fshati, po e shfrytëzojmë kur jemi në qytet, por unë jam nga fshati,” deklaron një banor.
“Jo se nuk kam nevojë unë,” shton një tjetër qytetar.
Shfrytëzuesit më të mëdhenj të transportit publik mbeten nxënësit e shkollave të mesme, ndërsa qytetarët e Tetovës vazhdojnë të preferojnë veturat e tyre për lëvizje. Drejtori i NP “Tetova Transport” thotë se duhet kohë që risitë të fillojnë të funksionojnë dhe ai shpreson se qytetarët do shfrytëzojmë më shumë transportin publik.
“Aktualisht janë 1.500 kartela në shfrytëzim të transportit publik. Pjesa më e madhe janë nxënës të shkollave të mesme, ndërsa pjesa tjetër përfshin nxënës të shkollave fillore dhe kartela falas që janë në qarkullim. Kriza energjetike që shfaqet në të gjithë botën, por edhe tek ne, nuk reflekton në shfrytëzimin e pasagjerëve; numri i pasagjerëve mbetet përafërsisht i njëjtë”, tha Izer Kirmizi, drejtor i “Tetova Transport”
Për të marrë një kartelë falas të transportit publik në Tetovë, personi duhet të jetë qytetar i Tetovës dhe të ketë të paguar borxhet ndaj komunës.










