Policia në Tetovë ka arrestuar një 18-vjeçar nga rrethina e Tetovës pasi dyshohet se ka dërguar mesazhe kërcënuese për vendosje bombash dhe kryerje vrasjesh në një shkollë të mesme.
Sipas njoftimit të policisë, mbrëmë (12/13 mars 2026) në SPB Tetovë disa profesorë nga Shkolla e Mesme e Mjekësisë “Nikolla Shtejn” në Tetovë kanë raportuar se prindër të nxënësve i kanë informuar se personi me inicialet M.R. kishte dërguar mesazhe tek nxënësit, duke u kërcënuar se do të vendosë bomba dhe do të kryejë vrasje në shkollë.
Menjëherë pas raportimit, policia ka ndërmarrë masa dhe aktivitete hetimore. Me urdhër gjykate është kryer kontroll në fshatin Pallaticë të Tetovës, në shtëpinë dhe objektet ndihmëse të R.R. (49).
Gjatë kontrollit janë gjetur disa sende që i përkasin djalit të tij M.R. (18), për të cilat ekziston dyshimi se mund të jenë të lidhura me vepra penale.
I dyshuari është privuar nga liria dhe pas dokumentimit të plotë të rastit ndaj tij do të ngrihet kallëzim përkatës penal.










