Një i ri nga Tenova ka rënë në prangat e policisë në orët e para të mëngjesit në Tetovë. Rreth orës 01:00, pranë një lokali në rrugën Iliria, efektivët e SPB Tetovë ndaluan V K 21 vjeç i cili gjatë kontrollit u kap me një arsenal të vërtetë personal në trup.
Policia i konfiskoi një boks metalik të kombinuar me thikë, një sprej mbrojtës si dhe një thikë tjetër të mprehtë.
I riu është shoqëruar në stacionin policor dhe ndaj tij do të ngrihet procedurë sipas nenit 80 të Ligjit për Armët.
Policia e Tetovës thekson se do të vazhdojë aksionet për rritjen e sigurisë publike dhe parandalimin e armëmbajtjes pa leje në mjediset urbane.










