Drejtori i Spitalit Klinik të Tetovës, Dr. Spec. Agim Berisha, ka nënshkruar kontratën për modernizimin e infrastrukturës së rrjetit kompjuterik dhe komunikimit të brendshëm në këtë institucion shëndetësor.
Qëllimi i këtij projekti është rritja e efikasitetit teknologjik dhe përmirësimi i shërbimeve për stafin mjekësor dhe pacientët, në përputhje me standardet moderne të një spitali bashkëkohor.
Punimet do të nisin në ditët në vijim dhe përfshijnë disa përmirësime thelbësore në rrjetin informatik të spitalit, si:
• Ndërtimi i një infrastrukture të re rrjeti optik;
• Instalimi i pajisjeve të reja rrjetore me kapacitet të avancuar për menaxhim dhe transmetim të dhënash deri në 10 gigabitë;
• Vendosja e pajisjeve për shpërndarjen më të shpejtë dhe të sigurt të internetit dhe të dhënave në të gjithë objektin;
• Përmirësimi i kushteve teknike dhe të sigurisë në dhomën e serverëve, me fokus te mbrojtja kibernetike dhe performanca e lartë;
• Riorganizimi i rrjetit për të garantuar mbulim dhe funksionalitet optimal në çdo repart të spitalit.
Sipas Drejtorit Berisha, ky projekt është një hap konkret drejt digjitalizimit të plotë të shërbimeve mjekësore, forcimit të sigurisë së të dhënave dhe rritjes së cilësisë së komunikimit të brendshëm.
“Me këtë investim të rëndësishëm, spitali ynë forcon themelet për t’u kthyer në një institucion shëndetësor modern, efikas dhe në hap me zhvillimet teknologjike,” deklaroi ai.










