Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, ka reaguar publikisht pas thirrjeve fyese të dëgjuara gjatë ndeshjes ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, që u zhvillua në Kumanovë.
Përmes një postimi zyrtar, ambasadori Meidani theksoi se “gjuha e urrejtjes nuk ka vend në sport — as në shoqëri”, duke e cilësuar këtë ngjarje si një alarm për të gjithë.
“Në një shoqëri demokratike, bashkëjetesa kërkon angazhim të përditshëm, respekt për rregullat e lojës dhe për njëri-tjetrin — jo vetëm në tribuna, por kudo,” shkruan Meidani.
Ai shtoi se po ndjek me vëmendje reagimet institucionale dhe se pret një qëndrim të qartë, të fortë dhe me përgjegjësi nga autoritetet më të larta të Maqedonisë së Veriut.
Reagimi i ambasadorit vjen në një kohë kur incidentet me thirrje nacionaliste e gjuhë urrejtjeje po ngjallin shqetësim të gjerë në opinionin publik dhe ndërkombëtar, duke nxitur kërkesa për reflektim institucional dhe veprime konkrete.










