Trendy

Thirrjet raciste antishqiptare: Reagon Fetai, hesht Iseni

Para 2 orë

Zëvendëskryeministri për Qeverisje të Mirë, Arben Fetai, ka reaguar ashpër pas incidenteve të ndodhura në ndeshjen mes Vardarit dhe Bashkimit, duke dënuar publikisht gjuhën e urrejtjes dhe koret fyese që u dëgjuan gjatë takimit. Në reagimin e tij në rrjetin social Facebook, Fetai thekson se ngjarjet e fundit dëshmojnë se sporti në vend vazhdon të përballet me sjellje që, sipas tij, “nuk kanë asgjë të përbashkët me frymën e sportit, fair play-in dhe respektin e ndërsjellë”.

“Koret fyese dhe gjuha e urrejtjes janë absolutisht të papranueshme. Dënoj ashpër shfaqjet e tilla dhe refuzoj çdo përpjekje për t’i minimizuar apo justifikuar ato”, ka deklaruar zëvendëskryeministri, ndërsa ka kërkuar reagim institucional nga Federata e Futbollit dhe organet kompetente, duke theksuar nevojën për veprim profesional dhe të vendosur, përfshirë edhe sanksione konkrete ndaj individëve përgjegjës dhe klubit përkatës.

“Presim nga Federata e Futbollit dhe organet kompetente të reagojnë me profesionalizëm dhe vendosmëri, deri te sanksionet e nevojshme, në mënyrë që situata të tilla të mos përsëriten më kurrë”, thuhet në reagim. Në të njëjtën kohë, Fetai ka shprehur respekt për futbollistët dhe stafin e Bashkimit, duke vlerësuar profesionalizmin, qetësinë dhe maturinë e treguar nga ana e tyre përballë provokimeve.

“Kjo qasje meriton admirim dhe është shembull se si duhet të sillet sporti ynë”, ka theksuar ai.

Incidentet në këtë ndeshje kanë rikthyer debatin mbi sigurinë në stadiume dhe përgjegjësinë institucionale për parandalimin e gjuhës së urrejtjes në aktivitetet sportive, duke ngritur sërish pikëpyetje mbi standardet e zbatimit të rregullave dhe mekanizmat disiplinorë në futbollin vendor.

Megjithatë, edhe pse kanë kaluar 24 orë nga ulërimet fashiste ndaj shqiptarëve, si dhe nga provokimet e njësitit special ndaj lojtarëve të Bashkimit, vazhdon të heshtë zëvendësministrit i Policisë, Astrit Iseni, i cili vjen nga qyteti nga është edhe klubi i Bashkimit – Kumanovë.

Iseni, njëjtë sikurse herët tjera kur shqiptarët nënçmohen dhe fyhen, është mjaftuar me deklarata reaguese, sikurse opozita, e jo të marrë masa si zyrtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme. Madje, në disa raste, siç ishte ai me policin nga Kumanova që pati përdhosur flamurin shqiptar, në vend të dënimit, polici u ngrit në detyrë, ndërsa Iseni pati gënjyer se janë ngritur masa disiplinore. (koha.mk)

Trending