Departamenti për luftimin e krimit të organizuar dhe të rëndë – Sektori kundër terrorizmit, ka dorëzuar padi penale në Prokurorinë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (PPRO GOKK) kundër një banori 20-vjeçar nga Reçica e Vogël për veprën penale “Terrorizëm”. Gjithashtu, në Prokurorinë e Tetovës është dorëzuar padi penale kundër një 89-vjeçari për “Prodhimi, mbajtja dhe tregtimi i paautorizuar i armëve ose lëndëve plasëse”.
Kërcënimi dhe inspirimi nga sulmet në SHBA
I dyshuari K.H. (20), në fund të muajit janar të këtij viti, përmes aplikacionit social “Discord”, ka dërguar kërcënime serioze se është i gatshëm të kryejë sulm me armë zjarri – pushkë automatike AK-47 (Kallashnikov). Ai kishte deklaruar se kishte shëndet mendor të dëmtuar. Si inspirim për këtë sulm i kishte shërbyer ngjarja e 14 dhjetorit 2012 në SHBA, kur Adam Lanza, po ashtu 20 vjeç, vrau 26 persona (nga të cilët 20 fëmijë) në një shkollë.
Ndërhyrja e FBI-së dhe operacioni policor
Pas marrjes së informacioneve nga Ambasada e SHBA-së në Shkup se FBI kishte paraqitur kërkesë për zbulimin urgjent të një profili në “Discord” që ndodhej në vendin tonë, Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) në koordinim me Prokurorinë ndërmorën veprime për gjetjen e autorit.
Më datë 17.02.2026, pas identifikimit të adresës, zyrtarët policorë nga Sektori kundër terrorizmit, me asistencën e njësisë speciale “Tigrat”, kryen bastisje në shtëpinë dhe ambientet e tjera në Reçicë të Vogël të Tetovës.
Armatimi i sekuestruar
Gjatë bastisjes te K.H. dhe anëtarët e familjes së tij të ngushtë, u gjetën dhe u sekuestruan:
Pushkë automatike AK-47 me dy karikatorë dhe 40 fishekë.
Pistoletë “M57” me dy karikatorë dhe 49 fishekë.
Pistoletë “CHEROKEE” me dy karikatorë dhe mbi 600 fishekë të kalibrit 9mm.
Jelekë taktikë dhe antiplumb (pancirë).
Thika me gjatësi të ndryshme tehu.
Materiale të ndryshme dëshmuese elektronike.










