Lidija Spireska nga Shkupi ka ndarë publikisht tmerrin dhe “golgotën” nëpër të cilën ka kaluar nëpër sistemin shëndetësor nëna e saj 75-vjeçare, e cila pas tri ditëve pa përkujdesje adekuate, pësoi sulm në tru (ishemi). Gjithçka nisi më 17 mars, kur e moshuara, e cila prej vitesh kurohej nga tensioni i lartë, ndjeu mpirje dhe dobësi në krahun dhe këmbën e saj. Në vend të një reagimi urgjent, sipas dëshmisë së vajzës, ajo u dërgua nga njëri repart në tjetrin, pa asnjë diagnozë të qartë.
Pas kontrollit te mjeku amë, ajo mori vetëm terapi me “Diazepam”, pavarësisht përkeqësimit të gjendjes. Më pas pasuan kontrollet në kardiologji dhe neurologji, ku siç pretendon familja, ishte konstatuar se “çdo gjë është në rregull”, ndonëse simptomat vazhdonin.
Të nesërmen, gjendja u përkeqësua ndjeshëm. Në Qendrën Urgjente, pacientja nuk mund të lëvizte më vetë, ndërsa familjarët e bartnin nga reparti në repart – kardiologji, endokrinologji, reumatologji – pa marrë asnjë ndihmë konkrete.
Pavarësisht seriozitetit të simptomave, ata u kthyen sërish mbrapsht nga neurologjia me arsyetimin se nuk kishin udhëzimin e duhur. Vetëm kur gjendja u bë kritike, pacientja u dërgua në spitalin “8 Shtatori”, ku pas disa orësh pritjeje, u diagnostikua me sulm në tru.
Familja pretendon se edhe aty kushtet ishin të papërshtatshme, pas së cilës u detyruan që pacienten ta dërgojnë urgjentisht në një spital privat, ku mori trajtimin e duhur dhe u stabilizua.
Rasti ka nxitur reagime të shumta në opinion, ndërsa familja ka paralajmëruar se do të kërkojë përgjegjësi institucionale. Dokumentacioni mjekësor tashmë u është dorëzuar avokatëve, ndërsa procedurat do të nisin edhe para organeve kompetente.
Nga Ministria e Shëndetësisë u bëjnë thirrje qytetarëve që të denoncojnë parregullsitë, duke theksuar se çdo rast do të shqyrtohet veçmas.










