Policia po punon në zbardhjen e motiveve për djegien e flamujve të shtetit dhe atij shqiptar. Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, dyshon që incidentet të jenë raste të izoluara pasi kryerësit janë persona të rinj.
“Të gjithë këto kryerës të veprave penale sipas nenit 319 të Kodit Penal, janë persona të rinj, të cilët të themi se nuk në vite të pjekurisë ku mund të themi se bëhet fjalë për njerëz që janë të pjekur e kështu me radhë dhe gjatë së cilës kanë kryer ose nuk kanë kryer diçka. Shpresoj se kanë qenë incidente të izoluara, megjithatë nuk më duket ashtu puna”, deklaroi Pançe Toshkovski, ministër i Punëve të Brendshme.
Deri më tani, për djegie të flamujve Policia ka arrestuar 18 persona, 4 prej të cilëve janë në paraburgim. Pos kësaj, për janë ngritur dhjetëra procedura kundërvajtëse për shkelje të rregullave të trafikut gjatë festimeve në mbrëmjen e 28 nëntorit.
“Gjatë ditës së parë, gjatë festës arrestuam 8 persona, prej tyre 3 përfunduan në paraburgim për djegien e flamurit maqedonas. Ditën e ardhshme, arrestuam edhe 3 në Prilep për djegien e flamurit shqiptar, kemi arrestuar një person në Kumanovë për çrrënjosjen e simbolit shtetëror të Republikës së Serbisë. Gjithashtu, kemi arrestuar një person në Kërçovë për çrrënjosjen dhe heqjen edhe të flamurit maqedonas edhe të flamurit shqiptar. Dhe pardje kemi arrestuar edhe një person i cili u kap në mënyrë flagrante se si e djeg flamurin shqiptar në Shkup dhe jam i informuar se nga ana e gjykatësit paraprak i është caktuar masë paraburgimi edhe atij”, tha Pançe Toshkovski, ministër i Punëve të Brendshme.
Toshkovski porositi qytetarët që të sillen me përgjegjësi, pasi do të ndëshkohet secili që përdhos ndonjë simbol të Maqedonisë, por edhe të cilitdo shteti fqinj. Vepra, për akte të tilla dënohet me minimalisht 1 vjet burg.
Djegia e flamujve maqedonas dhe shqiptar, ka shkaktuar reagime të shumta në opinion. Përfaqësuesit shtetëror dhe partitë në vend kanë dënuar aktet e këtilla, megjithatë si rezultat i këtyre ndodhive, në rrjetet sociale vërehet prani e shtuar e gjuhës së urrejtjes mes qytetarëve. Politika nga ana tjetër i ka drejtuar shigjetat nga njëra-tjetra. VLEN ka akuzuar se prapa incidenteve me djegien e flamujve, qëndrojnë funksionarët e BDI-së me qëllim që të destabilizojnë vendin. Por, BDI ka hedhur poshtë akuzat, duke i cilësuar manipuluese. /Alsat.mk