Trendy

Toshovski: Në shërbimet administrative të MPB mbi 50% janë maqedonas, ndërsa mbi 39% shqiptarë

Para 55 minuta

Ministri i brendshëm i Maqedonisë së Veriut, Pançe Toshovski theksoi se për herë të parë në historinë e Maqedonisë, udhëheqësi i Qendrës Rajonale Veri është shqiptar.

Sipas tij, QR Veri ka kompetenca shumë më të mëdha se QR Perëndim, kontrollon një territor shumë më të madh dhe atje punojnë shumë më tepër zyrtarë policorë.

“Kuadrot në MPB janë profesionistë dhe në asnjë rast nuk përzgjidhen sipas përkatësisë etnike, por sipas profesionalizmit të tyre”, tha ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetes së BDI-së, Arbana Pasholli, lidhur me përfaqësimin e kadrave udhëheqëse në Maqedoninë Perëndimore.

Pasholli tha se qytetarët janë të shqetësuar që në pozitat udhëheqëse nuk ka shqiptarë, duke vënë në dukje se në të kaluarën gjithmonë ka pasur si udhëheqës, ashtu edhe zëvendësudhëheqës.

Toshkovski tha se priste një pyetje të tillë me të cilën, siç u shpreh ai, deputetja po manipulon opinionin dhe të gjithë qytetarët e tij, ose ka informacione të gabuara. Ai tha se, përkundër sulmeve të mëparshme të opozitës se në Dibër nuk do të ketë DPB (Departament të Punëve të Brendshme), ai ende funksionon.

“Ja, kaluan sa muaj, tre, katër, pesë, asgjë nuk ka ndryshuar. Informacionet tuaja janë të paktën të pasakta. E pasaktë është teza juaj se shqiptarët janë degraduar. Pse nuk flisni për QR Veri, e cila ka më shumë punonjës, pse nuk thoni se atje asnjëherë nuk ka pasur një shqiptar në pozitë udhëheqëse, ndërsa tani ka”, tha Toshkovski. Ai e pyeti deputeten nëse i përzgjedh mjekët sipas kombësisë kur kurohet, duke theksuar se ai beson fuqishëm në ekspertizën dhe profesionalizmin, pa e parë përfaqësimin etnik.

“Për herë të parë në historinë e Maqedonisë, udhëheqësi i QR Veri është shqiptar. QR Veri ka kompetenca shumë më të mëdha se QR Perëndim, kontrollon një territor shumë më të madh dhe atje punojnë shumë më tepër zyrtarë policorë”, tha Toshkovski. Ai shtoi se edhe në Likovë dhe në disa komuna të tjera funksionojnë shërbimet administrative.

Toshovski shtoi se në shërbimet administrative të MPB-së, sa i përket përfaqësimit etnik, ka mbi 50 për qind maqedonas dhe mbi 39 për qind shqiptarë, dhe pyeti nëse duhet t’i degradojë profesionistët dhe t’i zbresë ata në 25 për qind, edhe pse e kryejnë punën e tyre në mënyrë profesionale.

Ai vuri në dukje se në Tetovë 23.6 për qind janë maqedonas dhe 66.29 për qind janë shqiptarë. Ai i bëri thirrje deputetes të bëjë pyetje edhe për bashkësitë e tjera, duke treguar se, ndryshe nga ajo, ai gjithmonë angazhohet për të gjithë qytetarët e këtij vendi. Deputetja Pasholli deklaroi se nuk është e kënaqur me përgjigjen e ministrit të Punëve të Brendshme.

Trending