Pamje tronditëse po bëhen publike nga momentet kur shpërtheu zjarri në një klub nate në Indi. Njëzet e pesë persona, mes tyre edhe turistë, humbën jetën kur klubi u përfshi nga flakët.
Zjarri shpërtheu pas mesnatës së së shtunës drejt të dielës në një klub që ishte pjesë e një hoteli në Arpora, në rajonin North Goa, sipas policisë dhe agjencisë së lajmeve Press Trust of India.
Lajmi u konfirmua nga kreu i qeverisë së shtetit, Pramod Sawant, dhe zyrtarë të tjerë lokalë.
Mes viktimave kishte “tre deri në katër” turistë, tha Sawant për PTI. Ende nuk është sqaruar nëse mes tyre kishte të huaj dhe cilat ishin kombësitë e tyre.
Kryeministri i shtetit deklaroi se ka urdhëruar nisjen e një hetimi për të përcaktuar shkaqet e tragjedisë dhe për të verifikuar nëse ishin respektuar rregullat e sigurisë kundër zjarrit dhe kodet e ndërtimit.
“Përgjegjësit do të përballen me pasojat më të rënda ligjore. Çdo neglizhencë do të trajtohet me ashpërsi”, theksoi ai. Tre persona humbën jetën nga djegiet, ndërsa të tjerët nga asfiksia, sipas Sawant.
Pamjet e PTI tregojnë ekipet e shpëtimit që nxjerrin të plagosur ose të vdekur nëpërmjet barelave, duke zbritur një shkallë të ngushtë prej guri gjatë natës drejt klubit “Birch”, ku ishin mbledhur policë, ekipe ndihme dhe qytetarë.
Në pamje më të gjera duken re tymi që ngrihen mbi vendin e tragjedisë.
Për shefin e qeverisë lokale, “ky aksident tragjik nuk duhej të kishte ndodhur kurrë”, pasi “lokali funksiononte pa licencë” dhe “pikërisht kjo pakujdesi shkaktoi zjarrin”.





