Trendy
Screenshot

Tragjedi në Berlin: Dera e xhamit merr jetën e 5 vjeçarit

Para 2 muaj

Një djalë pesëvjeçar humbi jetën këtë mëngjes në Berlin, pasi një derë e rëndë prej xhami në një kopsht fëmijësh u thye dhe ra mbi të. Pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë të shërbimeve të emergjencës, fëmija nuk arriti të shpëtohej.

Aksidenti i rëndë ndodhi në kopshtin e fëmijëve “Adlerkiken”, në lagjen Niederschöneweide.

Sipas policisë së Berlinit, ngjarja ka ndodhur rreth orës 10:15, kur dera e tarracës që të çon drejt këndit të lojërave në ambient të hapur u shemb papritur nga brenda ndërtesës. Fëmija pësoi lëndime fatale, raportojnë mediat gjermane.

Në ndërhyrje morën pjesë mbi 20 pjesëtarë të shërbimit zjarrfikës, si dhe disa ekipe mjekësore që u përpoqën pa sukses ta reanimonin djalin. Në vendngjarje u ulën edhe dy helikopterë të ndihmës së shpejtë.

Policia e siguroi menjëherë zonën, ndërsa hyrja e dëmtuar e tarracës u mbyll përkohësisht me dërrasa druri.

Policia kriminale ka nisur hetime për vdekjen e fëmijës, për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për një defekt teknik apo për përdorim të papërshtatshëm të derës.

“Ky është një rast jashtëzakonisht tragjik. Hetimet do të përcaktojnë nëse aksidenti ka ndodhur si pasojë e një defekti teknik apo një gabimi në përdorim,” deklaroi zëdhënësi i policisë së Berlinit.

Prindërit dhe punonjësit e kopshtit të fëmijëve ishin dukshëm të tronditur nga ngjarja, ndaj atyre iu ofrua ndihmë psikologjike.

Trending