Edhe një fëmijë tjetër u ka nënshtruar plagëve pas aksidentit të rëndë të komunikacionit që ndodhi mëngjesin e sotëm në qytetin gjerman Dinslaken, ku një veturë goditi një grup nxënësish që po shkonin në shkollë. Sipas informacioneve të fundit, gjendja mbetet kritike pas kësaj tragjedie të re që ka tronditur vendin.
Aksidenti ka ndodhur rreth orës 07:45 në “Hagenstrasse”, në rajonin Ruhr të provincës gjermane Rhine-Westfalia Veriore. Tre fëmijë të moshës 12-vjeçare, të cilët po udhëtonin me biçikletë drejt shkollës, kanë mbetur të plagosur rëndë nga aksidenti, ndërsa një tjetër ka shpëtuar me lëndime më të lehta.
Sipas policisë, pas timonit të makinës tip “Volkswagen” ishte një grua 47-vjeçare nga Dinslaken. Për arsye ende të paqarta, ajo ka kthyer papritur majtas dhe u ka rënë ballë për ballë grupit të fëmijëve.
”Gruaja është përplasur me tre fëmijë me biçikleta që po vinin nga drejtimi i kundërt, dhe më pas edhe me tre makina të parkuara”, thuhet në njoftimin e hetuesve.
Mediat gjermane raportojnë se fuqia e goditjes ka qenë e jashtëzakonshme, me ç’rast biçikletat e fëmijëve janë shkatërruar plotësisht dhe janë thyer në pjesë.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë ekipe të shumta të ndihmës së shpejtë dhe policisë, ndërsa 12-vjeçarët e lënduar janë dërguar me urgjencë në spitalet më të afërta. Për shkak të gjendjes së tyre serioze, u thirr edhe një helikopter i ndihmës së shpejtë, i cili në fund megjithatë nuk u shfrytëzua për arsye ende të panjohura.
Prokuroria Publike informoi se edhe drejtuesja e automjetit ka pësuar lëndime të rënda dhe është shtruar në spital.
Ekipet e policisë siguruan vendin e tragjedisë për orë të tëra dhe mblodhën prova, ndërsa hetimet për zbardhjen e shkaqeve të sakta të aksidentit janë në rrjedhë e sipër.










