Shoqata shqiptaro-amerikane në të cilën bëjnë pjesë Shoqata “Uskana”, Shoqata “Prespa”, Shoqata “Valët e Liqenit”, Shoqata “Dardania” u kanë dërguar letër urgjente ambasadores amerikane në Shkup Anxhela Ageler dhe zëvendës-shefes së Misionit Nikoll Varnes, duke shprehur dhimbjen për humbjen tragjike të jetëve të reja në Koçan dhe shqetësimet në rritje për, siç thonë, manipulimin politik të kësaj tragjedie, njofton Portalb.mk.
“Në emër të Komuniteti shqiptaro-amerikane në Illinois dhe të gjitha Shoqatave shqiptaro-amerikane në SHBA, shprehim dhimbjen tonë të thellë për humbjen tragjike të jetëve të të rinjve në ngjarjet e fundit në Koçan. Ky moment zemërthyes shërben si një kujtesë se vlera e jetës njerëzore tejkalon kombësinë, fenë dhe racën. Ngushëllimet tona më të thella shkojnë për familjet e pikëlluara dhe ne qëndrojmë të bashkuar në pikëllim me të gjithë të prekurit. Në një gjest solidariteti, ne jemi drejtuar te Kisha lokale Maqedonase për të përcjellë simpatitë tona dhe për të ofruar mbështetje financiare për të ndihmuar ata që kanë nevojë. Megjithatë, mes kësaj tragjedie, ne jemi thellësisht të shqetësuar nga modeli i njohur dhe shqetësues i historisë që përsëritet”, thuhet në letër.
Në vend që qeveria të fokusohet në përgjegjësitë e drejtpërdrejta penale të pronarëve të klubit dhe organeve zyrtare aktuale, nga Shoqata shqiptaro-amerikane thonë se ajo duket se po ia hedh fajin ish-zyrtarëve të shquar shqiptarë, duke i përdorur ata si koka turku. Veprime të tilla, siç thonë ata, jo vetëm që largojnë vëmendjen nga përgjegjësia e vërtetë, por rrezikojnë edhe thellimin e ndarjeve shoqërore.