Trendy

“Transparency International”: Maqedonia nuk ka shënuar përparim thelbësor

Para 2 orë

Republika e Maqedonisë së Veriut edhe këtë vit shënon 40 pikë në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit, që do të thotë se nuk ka përparim thelbësor në luftën kundër korrupsionit, por ekziston një konstante si pikënisje nga e cila gjërat duhet të nisin të përmirësohen, thonë nga “Transparency International”.

Sipas tyre, këto rezultate dërgojnë një mesazh të qartë se pa vullnet të vërtetë politik, procese transparente dhe institucione llogaridhënëse, vendi do të mbetet i ngecur në stagnim. Sipas tyre, lufta kundër korrupsionit duhet të trajtohet si prioritet shtetëror i nivelit më të lartë, e jo si një angazhim deklarativ.

“Formalisht jemi të pozicionuar katër vende më mirë se në renditjen e vitit të kaluar dhe tani zëmë vendin e 84-të. Ky përmirësim tregon se vitin e kaluar në luftën kundër korrupsionit kemi qenë më të suksesshëm se katër shtete të tjera. Ndryshimet kyçe sistemore edhe më tej mbeten reformat e pasuksesshme dhe të papërfunduara në gjyqësor dhe në prokurori, të cilat nuk arrijnë të sigurojnë një sistem efikas, të pavarur dhe të përgjegjshëm të drejtësisë. Shqetësues është edhe procesi jotransparent i përgatitjes së ndryshimeve në Kodin Penal, si dhe përmbajtja e tyre, e cila jo vetëm që nuk kontribuoi në forcimin e kornizës antikorrupsion, por në disa segmente e dobësoi atë.”, – deklaroi Blagoja Pandovski nga “Transparency International”, Maqedoni.

Nga “Transparency International” theksojnë se zhvillimet e lidhura me ish-kryetaren e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit kanë dëmtuar seriozisht besimin e publikut në institucionet përgjegjëse për luftën kundër korrupsionit.

Edhe demokracitë e konsoliduara botërore gjithnjë e më shumë po zhyten në korrupsion.

Këtë e tregon Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2025, të cilin e publikoi organizata “Transparency International”.

Raporti më i ri tregon rënie edhe në vende si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanadaja, Mbretëria e Bashkuar dhe Suedia.

Danimarka për të tetin vit radhazi shënon rezultatin më të lartë 89 pikë, ndërsa menjëherë pas saj renditen Finlanda me 88 pikë.

Si trend pozitiv, edhe ngritja e vendeve nga fundi drejt mesit të listës, në mesin e të cilëve është Shqipëria./TVM2/

Trending