Pas marrëveshjes së djeshme mes transportuesve privatë dhe grupit të këshilltarëve të Qytetit të Shkupit, këshilli në seancë të jashtëzakonshme po shqyrton kërkesat e privatëve, të cilët kërkojnë rritjen e çmimit për kilometër.
Kjo kërkesë e privatëve nxiti debate të ashpra mes këshilltarëve në Qytetin e Shkupit.
“Qytetarët nga ne presin aksion, aktivitet nëse realisht vendosem që të merremi me politikë lokale, të dalim nga stigmat politike, kufizimet politike në këshillin e qytetit dhe njëherë e përgjithmonë të qëndrojmë në anën e nevojave të qytetarëve së bashku me tjerët që janë pjesë e kësaj procedure dhe të vendosim për të mirën e qytetarëve siç na ka hije sepse patjetër të kemi qytet funksional”, deklaroi Goran Shutarov – Këshilltar i LSDM-së.
“Kemi edhe populizëm në Qytetin e Shkupit. Ne dhamë propozim që të kemi zgjidhje të daljes nga kriza dhe që tu dalim në ndihmë transportuesve privat dhe të dalim nga kjo krizë dhe të mos ketë bllokada. Ne jemi për zgjidhje të problemit, grupi juaj i këshillit shoh që tani shqyrton atë të cilën e kanë sjellë transportuesit privat. Perse deri tani nuk arritët që t’i shihni. Ne i shqyrtuam dhe vendosem që mund t’i ndihmojmë që të kthehen në rrugë deri në maj që ai çmim 30 denarë të jetë për ata, naftë dhe të mos jenë në humbje”, u shpreh Martin Stojanovski – Këshilltar i VMRO DPMNE-së.
Marrëveshja për rritjen e çmimit, nga 70 në 100 denarë për kilometër, për transportuesit privatë është çmim që sipas marrëveshjes së mbrëmshme do të zbatohet nga 1 dhjetori deri në muajin maj të vitit 2025 kur edhe u skadon kontrata transportuesve privatë. Për transportuesit privat ky çmim është i pranueshëm.
“Pasi është bërë marrëveshja më nuk do të ketë bllokim të rrugëve të Shkupit dhe nuk do të ketë pengesë për qytetarët e Shkupit por nga dita e hënë do të fillojmë me punë të rregullt.” ”Mund të them se është çmim i mirë dhe se mund të jetë edhe më mirë por në këto kushte për momentin mendoj se është mjaftueshëm dhe se do të mund të funksionojmë normal dhe t’i shërbejmë qytetarët e Qytetit të Shkupit”, u shpreh Hisen Halili – Transportues privat.
Transportuesit privatë rreth tre muaj qarkulluan vetëm pas orës 17:00 për shkak të çmimit të ulët për kilometër. Nga dita e hënë pritet që transportuesit privat të kthehen në qarkullim të rregullt pas arritjes së marrëveshjes për pagesën për kilometër. /Alsat.mk