Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha disa herë këtë javë se një marrëveshje me Iranin ishte shumë afër, duke pretenduar se Teherani kishte bërë disa lëshime kyçe.
Por të gjitha shenjat tregojnë për një numër pengesash që ende duhen zgjidhur, dhe Trump ka kërcënuar se nuk do ta zgjasë armëpushimin aktual, i cili skadon të martën, nëse Irani nuk arrin një marrëveshje.
Pavarësisht përparimeve, negociatat SHBA-Iran duket se kanë hasur vështirësi më tre fusha kyçe:
1- Fati i rezervave të uraniumit të Iranit: Trump sugjeroi këtë javë se Irani pranoi të dërgonte rezervat e tij të uraniumit të pasuruar në SHBA, një pretendim që u kundërshtua shpejt nga një zyrtar i lartë iranian i cili tha se kërkesa ishte “e papranueshme”.
Irani ka rreth 400 kilogramë uranium të pasuruar 60%, një sasi e konsiderueshme. Një propozim që është hedhur përfshin zhbllokimin e aseteve iraniane në këmbim të dorëzimit të rezervave të tij nga Teherani. Irani ka kërkuar lehtësim të madh të sanksioneve dhe zhbllokimin e aseteve mbi 20 miliardë dollarë.
2- Frenimi i pasurimit të uraniumit: Kohëzgjatja e çdo pezullimi të programit të pasurimit të Iranit mbetet një tjetër pikë mosmarrëveshjeje. Zyrtari iranian që foli për CNN hodhi poshtë pohimin e Trump se Teherani pranoi ta ndalonte programin për një kohë të pacaktuar, duke thënë se Irani “nuk do ta pranojë kurrë” të jetë një “përjashtim nga e drejta ndërkombëtare”.
Gjatë bisedimeve fundjavën e kaluar, negociatorët amerikanë propozuan një pauzë 20-vjeçare për pasurimin e uraniumit nga Irani, tha një burim i njohur me diskutimet për CNN. Irani u përgjigj me një propozim për një pezullim pesëvjeçar, të cilin SHBA-të e kanë hedhur poshtë, sipas një zyrtari amerikan.
3- Rihapja e Ngushticës së Hormuzit: Bota mori frymë lirisht të premten kur Irani njoftoi se do të rihapë rrugën kryesore të transportit detar, e cila në fakt është mbyllur për gati dy muaj.
Por ky lehtësim ishte jetëshkurtër. Irani thotë se po rivendos kufizime të rrepta për transportin detar në përgjigje të deklaratës së Trump se bllokada amerikane ndaj porteve iraniane do të vazhdojë derisa të arrihet një marrëveshje. Dy anije kanë raportuar sulme që atëherë, ndërsa po përpiqeshin të kalonin nëpër ngushticë.










