N[ një prononcim për mediat Zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, nuk ka kursyer kritikat ndaj Arben Taravarit, duke e bërë atë përgjegjës kryesor për ndarjen e Aleancës për Shqiptarët (ASH).
“Pse u përça ASH-ja? Pse sot kemi tri Aleanca? Këto pyetje duhet t’i bëhen atyre që sot përpiqen ta justifikojnë kalimin te BDI,” tha Mexhiti, duke iu referuar deputetëve dhe strukturave që së fundmi janë rreshtuar përkrah Taravarit.
Sipas Mexhitit, elektorati i ASH-së nuk do të ndjekë verbërisht liderët që lëvizin nga një parti te tjetra. “Taravari përfundoi te BDI, por elektorati i tij jo. Votuesit e Aleancës mbeten të vendosur kundër BDI-së dhe nuk mund të transferohen me një vendim personal,” theksoi ai, duke i dhënë një mesazh të qartë eksponentëve që po braktisin partinë.
Ai kujtoi edhe bashkëpunimet e Taravarit me BDI-në gjatë mandatit të kaluar, si kur si ministër i Shëndetësisë kishte nënshkruar marrëveshje ndërkombëtare me mbështetjen e qeverisë së atëhershme, duke treguar se kjo nuk është hera e parë që Taravari bashkëpunon me strukturat e vjetra politike.
“Elektorati nuk mashtrohet më lehtë. Qytetarët kanë kujtesë politike dhe dinë të dallojnë kush e tradhton besimin e tyre,” përfundoi Mexhiti, duke theksuar se ndryshimi i vërtetë nuk mund të vijë duke iu bashkuar strukturave të vjetra, por vetëm duke ndërtuar një alternativë të re.










